Trump i kërkon Rezervës Federale uljen e normave të interesit

Trump i kërkon Rezervës Federale uljen e normave të interesit

Paqartësive dhe zhvillimeve të Eurozonës duket se i shtohet së fundi edhe ecuria tashmë negative në Britani dhe rënia e vazhdueshme ekonomike që vendi po përjeton. Pound ka shënuar gjithashtu një tkurrje të ndjeshme nisur nga shqetësimet se Britania e Madhe mund të largohet nga BE pa një marrëveshje.

Aktualisht monedha vendase tregtohen nën 1.25 dollarë dhe analistët parashikojnë humbje të mëtejshme.

Ditën e djeshme ishte Instituti Kombëtar i Kërkimit Ekonomik dhe Social NIESR, që parashikoi se ekonomia e Britanisë së Madhe tashmë mund të jetë në recession dhe gjithashtu një BREXIT pa ndonjë ujdi do të shkaktonte një rënie të rëndë – ekuivalentin sikur në rrotat e ekonomisë të derdhej çimento, siç e pasqyronin ata situatën.

Duket se përveç vendit dhe Eurozonës, dalja e Britanisë nga BE po ndikon edhe tregjet botërore të cilat kanë shfaqur së fundi zhvillime të shumta. Vetë presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Rezervës Federale, uljen e normave të interesit në SHBA. Madje Trump ka theksuar më tej kërkesën e tij rreth uljes së kostove të huamarrjes, duke pretenduar se nëse ekonomia amerikane fillon të tkurret, duhet fajësuar pikërisht Rezerva Federale.

Në Washington, Trump ka nisur fushatën e tij për të ulur normat e interesit, me një breshëri postimesh në Twitter, ku kritikon me tone të ashpra Rezervën Federale. Ai argumenton se Rezerva Federale ka dëmtuar ekonominë duke rritur normat në nivele shumë të larta – dhe ndoshta pikërisht prej tyre raporti i së premtes rreth PBB-së së vendit do të tregojë se ekonomia e SHBA është ngadalësuar. Duket se thirrja e tij për një ulje të normave të interesit shkon në të njëjtën linjë edhe me disa nga politikëbërësit e Rezervës, pasi është lënë të kuptohet se edhe ata favorizojnë një lëvizje të tillë.

Nga ana tjetër, nuk mendojnë njëlloj politikëbërësit e tjerë, sipas të cilëve arsyeja e rënies ekonomike amerikane lidhet pikërisht me presidentin Trump. Një senatore demokrate, Elizabeth Warren, ka paralajmëruar se rënia ekonomike në Shtetet e Bashkuara po fillon dhe se për këtë duhet fajësuar pikërisht Trump. Ajo ka theksuar se, “dritat paralajmëruese po ndizen. Prej këtij viti apo nga viti i ardhshëm, shanset e një rënieje tjetër ekonomike janë të larta dhe po vazhdojnë të rriten”.