Gazetarët e `Sputnikut`, të varfër dhe në depresion

Gazetarët e `Sputnikut`, të varfër dhe në depresion

Gazetarja e redaksisë së agjencisë ruse të Vladimir Putinit `Sputnik` në Serbi, Brankica Ristic, e njohur për shkrimet dezinformuese për Kosovën, tashmë gjendet në depresion të thellë.

Një kohë të gjatë jeton në varfëri, kurse të ardhurat që i merr si gazetare nuk i mjaftojnë për të dalë nga kjo gjendje. Tashmë, gazetarja Ristic, e cila disa herë ka vizituar Kosovën, në profilin e saj në Facebook ka postuar një gjë të dhembshme: “Kur nuk e ke askë. Nuk i duhesh askujt, kurse për veten tënde je i parëndësishëm, atëherë a ekziston?”.

Gazetarja e Putinit në Serbi, sipas fotografive në Facebook, shihet se jeton një jetë të vështirë. Kushtet ekonomike i ka jashtëzakonisht të vështira, dhe që moti reflekton se ka probleme shëndetësore dhe të demoralizimit.

Brankica Ristic është e pamartuar, kurse para dy vjetësh humbi edhe dy anëtarët e vetëm të familjes: nënën dhe vëllain. Tashmë vuan nga hipertensioni, kurse dihet se gazetarët e Sputnikut janë në aktivitet të shtuar pune. Sputnik nuk ka shumë gazetarë në redaksinë e vet, ndërsa ata pak që janë duhet që të bëjnë shumë punë.

Ajo në Sputnik është e angazhuar që nga viti 2015, kurse sipas të gjitha gjasave ka të ardhura minimale. Është e njohur për shkrimet njollosëse në raport me Kosovën dhe gjithashtu shquhet edhe për nivelin e ulët arsimor e profesional.

Gazetarët e Sputnikut ka kohë që nuk paguhen si më parë. Shumë gazetarë në Serbi në fillim u joshën që të punojnë në këtë agjenci ruse të lajmeve, por tashmë gjendja ka ndryshuar, dhe Brankica është nga të rrallat që shprehet për gjendjen e saj.

Sputnik Serbia po kalon në një fazë të rëndë. Siç raportoi me kohë RTK, në fund të qershorit, kjo redaksi zbuloi pa dashje skandalin e madh të zhdukjes së dokumenteve të ish-ambasadorit rus në Beograd Aleksandar Çepurin. Ndërkohë shkrimin e RTK-së e botuan edhe një varg mediash në Serbi, gjë për të cilën reagoi kryeredaktorja e Sputnikut Ljubinka Milincic.

 

 

 

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Aktuale