Driton Hyseni sjell rrëfimin e jashtëzakonshëm për takimin me Adem Demaçin

Driton Hyseni sjell rrëfimin e jashtëzakonshëm për takimin me Adem Demaçin

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Driton Hyseni, ka dhënë një rrëfim të jashtëzakonshëm për takimin e tij me veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në 1 vjetorin e vdekjes së Demaçit, Driton Hyseni ka rrëfyer një takim mes tij dhe Adem Demaçit, në maj të vitit 1999, në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë.

Hyseni ka treguar se si ishte shkuar ta takojë Demaçit, për ta bindur të largohet nga zyra e tij si udhëheqës politik i UÇK-së në Prishtinë, për t’u zhvendosur në Zonën e Llapit.

Driton Hyseni, ka treguar për arsyet që Demaçi nuk ka pranuar të largohet nga zyrja e tij dhe bisedën që e kishte bërë në atë kohë me Adem Demaçin.

Lexojeni shkrimin e plotë të Driton Hysenit:

Kujtim i Dialogut me Adem Demaçin në Prishtinë, Maj 1999 (në njëvjetorin e ndarjes nga jeta):

Baca Adem, kur mendoj çfarë bëre ti për ne, kuptoj sa pak bëmë ne për veten, e mos të flas sa bëmë për ty.

Se mendoja që do shkruaja ndonjëherë për momentet kur erdha në shtëpinë tënde, aty në lagjen e cila ishte përplot me policë e paramilitarë serbë. Janë tregimet e bashkëluftëtarit Valon Murati ato që më nxitën të vendosë ca rreshta për komunikimin që kisha me juve Baca Adem, për ato çaste që kaluam së bashku në rrethana të jashtëzakonshme, por që me fuqinë e shpirtit tënd edhe situatat më të rënda i ktheje në momente shprese, i ktheje në motiv jete e lufte për liri.

Ishte 24 marsi ‘99, dita kur u pamë për së fundmit herë, para se një ditë Maji, Dr. Shqiptari të më hapte derën e shtëpisë e qysh në bisedën e parë të më shprehte edhe ai shqetësimin e madh që kishte për sigurinë tënde, si djali për babanë… por, i tregova se, unë pikërisht për ty kam ardhur këtu dhe do bëj ç’është e mundur për të ju transferuar drejt njësiteve tona në Zonën e Llapit, aty ku secili ushtarë ndjente dashurinë e madhe për përfaqësuesin e denjë të Luftës sonë Çlirimtare Bacë Adem Demaçi.

Biseduam për zhvillimet që ndodhnin në atë kohë, për sulmet e NATO-s drejt caqeve serbe, për zhvendosjen e pozicioneve të UÇK-së, për ofensivat serbe, për gjendjen e popullatës civile, biseduam edhe për përfaqësimin politik që në atë kohë i bëhej luftës sonë për liri dhe për kohën që po afronte kur Serbia me forcat e saj do të largohej përgjithmonë nga Kosova, atëherë ne të fillonim një jetë të re e të mëkëmbeshim nga dëmet e mëdha të luftës, t’i gjendeshim pranë atyre që i dhanë më të dashurit e tyre, që ne të jetojmë të lirë e të gëzojmë jetën në Kosovën tonë që e duam më shumë se gjithçka tjetër.

Bacë, ti si gjithmonë me plot kurajo e me motiv të lartë i qëndroje stoik qëndrimeve tua të palëkundura, se Serbia duhet të shporret me çdo kusht dhe se po afron dita kur ajo do të ikën e turpëruar…

Pas trajtimit të këtyre temave e pas tendecës time që gjatë bisedës, që të orientoja drejt arsyes së madhe që kisha për të parë e për të ftuar që së bashku të drejtohemi, fillimisht te pjesa e lagjes në dalje të qytetit në drejtim të Matit e, më pastaj bashkë më ushtarët tjerë të Guerilës BIA të vazhdonim drejt fshatrave të Gollakut, më bëhej sikur nuk po ia arrija dot qëllimit…

Duke të njohur për shumë kohë nga afër, e mendoja edhe përgjegjjen tënde. Por, ja që unë dhe jo vetëm unë, nuk qëndronim të qetë kur mendonim se ju në çdo moment i jeni ekspozuar rrezikut që vinte nga forcat serbe të përqëndruara në kryeqytet.

Kur unë tentova të japë arsyen, se duhet larguar nga qyteti, ti Baca Adem me vendosmëri m’u drejtove me fjalët: “Driton, nuk më interesojnë veprimet e tyre. Do të qëndroj në Prishtinë. NUK KA MOMENT MË TË RËNDËSISHËM NË JETË, SE SA MOMENTI QË NË KOHË LUFTE, UNË TË JAPË JETËN PËR LIRINË E KOSOVËS. Por, këta nuk e bëjnë dot, sepse e dinë se vrasja ime do të ketë jehonë ndërkombëtare dhe politikisht do të goditeshin nga ky veprim”.

Dhe, nuk u befasova nga vendimi yt për të qëndruar në Prishtinë. Rrugës, që unë largohesha m’u kujtuan momentet që na i përcillte Shasivari (shoqëruesi juaj i pandashëm), për fërkimet e përplasjet, që ju kishit me forcat serbe nëpër shumë bllokada rrugësh të vendosura, gjatë kohës kur ju përfaqësonit politikisht UÇK-në…

Baca Adem, jetoni me ne, siç jetojnë shumë nga njerëzit tanë që dhanë shumë për Kosovën e kombin shqiptar!
Përjetë mirënjohës!

P.s. Falënderoj Hysnien, një pjesëtare e Guerilës BIA, që më kishte shoqëruar gjatë rrugës e kohës së qëndrimit në shtëpinë e Bacës Adem.


MË SHUME NGA Intervista