Inspektori i ndërtimit në Prizren kërkon hudhjen e aktakuzës për korrupsion

Inspektori i ndërtimit në Prizren kërkon hudhjen e aktakuzës për korrupsion

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza e cila e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Musliu, përmes mbrojtësve të tij, avokatëve Blend dhe Gent Gjini, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë si e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Gent Gjini, aktakuza ndaj klientit të tij është e pambështetur dhe se nuk kuptohen elementet e dashjes dhe pasojës, pasi siç tha ai, nga provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk mund të kuptohet se kush është palë e dëmtuar dhe sa është vlera e dëmit të shkaktuar, e cila pretendohet nga ana e prokurorisë.

Mirëpo, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit.

Ai tha se element i veprës penale është se i ka mundësuar tjetrit përfitim të kundërligjshëm, në rastin konkret firmës “Kastrati Comerc” me një kat të ndërtesës pa leje si dhe firmës “Coneng” me tre kate pa leje.

Tutje, prokurori Sefa ka kërkuar që të refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës, me arsyetimin se e njëjta është ngritur mbi dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Musliu ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Lidhur me këto kërkesa të palëve, gjykatësi Xheladin Osmani deklaroi se do të merr vendim me shkrim, kurse seancën e shqyrtimit kryesor e caktoi për 19 shtator 2019, në ora 09.30.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 5 qershor të këtij viti, inspektori komunal ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Ai është i përfshirë edhe në një tjetër në proces gjyqësor që ka të bëjë me veprën e njëjtë penale, atë të keqpërdorimit të pozitës apo të autoritetit zyrtar.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore 2016-201ë në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2 ./BetimipërDrejtësi