Mungon i pandehuri, shtyhet seanca fillestare për mospërfillje të gjykatës

Mungon i pandehuri, shtyhet seanca fillestare për mospërfillje të gjykatës

Për shkak të mungesës të akuzuarit për mospërfillje të gjykatës, Sevdin Lajqi, të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të mbahet seanca fillestare.

Gjyqtari i çështjes, Murat Hulaj ka konstatuar se i pandehuri është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nga fletë kthesa është konstatuar që i njëjti është shpërngulur nga ai vendbanim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi fillestar u shty për 10 shtator 2019, në ora 10:30.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishin prokurorja Ardiana Veseli, e dëmtuara Senadije Lajqi dhe mbrojtësja e viktimave, Zymreta Bashiq.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë,  Sevdin Lajqi akuzohet se me 13 shkurt 2019, në Pejë, me dashje e ka shkelur Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, duke mos iu bindur aktvendimit të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Në aktakuzë thuhet se ndaj të akuzuarit ishte lëshuar urdhër që i njëjti në afat prej gjashtë muajsh të mos i afrohet të dëmtuarës, mos ta ofendoj, kërcënoj e të tjera, por i njëjti, duke mos e përfillur atë aktvendim, përderisa e dëmtuara ishte duke përcjellë fëmijët për në shkollë kurse i pandehuri ishte në vendin e punës, i është drejtuar të dëmtuarës me fjalët “kurrë ma qesej rruge s’guxon me kalu”.

Andaj, me këto veprime Lajqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 401 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi