Sërish mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për vjedhje të pyllit në Viti

Sërish mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për vjedhje të pyllit në Viti

Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Sokol Metallari, ka bërë që sërish të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Gjykatësi Nexhat Aliu bëri të ditur se ndaj të akuzuarit Metallari ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, sipas gjykatësit Aliu, gjykata ishte njoftuar përmes telefonit nga Stacioni Policor në Viti se urdhëresa ndaj të akuzuarit nuk mund të realizohet, me arsyetimin se ai gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Kroaci.

Në rrethana të tilla, shqyrtimi fillestar për këtë rast u shty për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, edhe seanca e 25 korrikut 2019 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit .

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 10 tetor 2018, Sokol Metallari  po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Metallari, më 25 gusht 2018, rreth orës 13:00, në terrenin e fshatit Goshicë të Komunës së Vitisë, të administruar nga Autoriteti Pyjor Komunal, zyra në Viti, i pandehuri, me qëllim vjedhje, ka prerë në mënyrë të pa lejueshme me sharrë motorike 14 trungje të llojit Ah-Shkozë, me diametër 16-18 cm, në lartësi prej 17 m, si dhe vëllim të përgjithshëm prej 2.38 m3 .

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), dega në Viti, i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 321 euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi