Pranon fajësinë i akuzuari për sulm ndaj rojës së pyllit në Pejë

Pranon fajësinë i akuzuari për sulm ndaj rojës së pyllit në Pejë

I akuzuari për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Fuad Ramçaj, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, është deklaruar fajtor.

Ramçaj ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, duke shtuar se kërkon falje për veprimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimin e fajësisë e ka mbështetur edhe i dëmtuari Arif Nikqi, i cili ka kërkuar nga gjykata që të ketë parasysh gjendjen jo të mirë ekonomike të të akuzuarit.

Lidhur me deklarimin e të akuzuarit, prokurorja Ardiana Veseli tha se pranimi i fajësisë është bërë me vullnetin e tij, duke kërkuar nga gjykata që ndaj të njëjtit të shqiptohet një dënim më i lehtë.

Gjyqtari i çështjes, Murat Hulaj e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe ka  konstatuar që shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 2 gusht 2019, në ora  14:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Fuad Ramçaj akuzohet se me 7 qershor 2047, afër patrikanës në Pejë, me dashje e ka sulmuar personin zyrtar dhe atë të dëmtuarin, rojën e pyllit Arif Nikqi.

Në aktakuzë, thuhet që përderisa i pandehuri ishte duke shkuar në drejtim të Rugovës për të bërë prerjen e drunjtëve, i dëmtuari me ta vërejtur i ka shkuar pas, me ç’ rast i pandehuri del nga furgoni i tij dhe fillon të fjaloset me të dëmtuarin, ku më pas e kap për fyti dhe e grushton, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi