Ish-drejtori i Shërbimeve Publike akuzohet për keqpërdorim të pozitës

Ish-drejtori i Shërbimeve Publike akuzohet për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, H.H., për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën për media të prokurorisë, thuhet se i akuzuari veprën penale e ka kryer gjatë periudhës 2015-2016.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari H.H., në periudhën kohore janar të vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016, në cilësinë e Drejtorit të Shërbimeve Publike pranë Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoi çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion dhe TV Besa, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

Sipas prokurorisë, vepra është kryer në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, i pandehuri lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ku vlera totale e kontratave me TV Opinion dhe TV Besa arrin shumën 7,000 euro.

Kështu, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri H.H., ka përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit”, për çka me rastin e ngritjes së aktakuzës, është kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Betimipërdrejtësi