Edhe një herë zgjedhje

Edhe një herë zgjedhje

Kosova ka dalë nga izolimi disa – dekadësh dhe nga sistemi socialist – komunist qe një kohë relativisht të shkurtë historike. Në të vërtetë asnjë nga liderët e pushteteve politike nuk ka asnjë përvojë me veprimin, vendimmarrjen dhe me bashkëveprimin politik të këtyre periudhave.

Në anën tjetër Kosova ka kaluar në numër rekord të zgjedhjeve, prej atyre të organizuara nga OSBE në vitin 200 e deri sot në vitin 2019. Në këtë ka disa shpjegime që dalin, apo edhe mund të merren si perspektiva të të përfshirëve dhe të aktantëve brenda këtyre shtjellave.

Në të vërtetë këto perspektiva mund të ndahen në: a. Përbrenda Kosovës dhe të orientuara nga pushtetet politike në veprim në Kosovë b. Në perspektivën e relacioneve me Bashkimin Evropian dhe me globalen c. Dhe në perspektivën e plagëve të patrajtuara një herë e mirë lidhur me të kaluarën e Kosovës. Të nisemi nga e fundit - kryeministri Ramush Haradinaj pikërisht në konfliktin me një pjesë të madhe të Perëndimit lidhur me akcizën e vendosur ndaj shtetit të Serbisë thirret për gjykim në Tribunalin për krime ndërkombëtare në Hagë.

Kjo nuk është as e rastit por dhe as e organizuar si fushatë ndaj kryeministrit dhe mosbindjes së tij. Në të vërtetë kryeministri në vendimin e tij për mosheqjen e akcizës gjë e cila solli deri tek ndërprerja e dialogut krijoi një tronditje në procesin e dialogimit dhe tentativës për dalje nga kriza disa dekadëshe e Ballkanit. Pikërisht këto ditë, si shpjegim dhe si elaborim i krizës së krijuar me thirrjen e kryeministrit për gjykim në Hagë vjen intervista e Hahn, Zyrtarit të lartë të BE-së dhe “Standart” të Austrisë lidhur me marrëdhëniet dhe me dialogun dhe me gjendjen e krijuar në Kosovë.

Në të vërtetë ai potencon si gjithëherë në zhargonin e vazhdimit të ndërtimit të besimit të popullatës së Kosovës, se vetë Kosova është me rëndësi globale dhe tejet e rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ai flet për pandashmërinë e ndërtimit të relacionit të Bashkimit Evropian në njërën anë dhe në anën tjetër të domosdosë së pushteteve politike kosovare për të ndërtuar nga kjo anë këtë relacion dhe hapjen e mundësisë së deprtimit të Kosovës në këtë terren me kushtet e arritura.

Duke kaluar në pikët më lart, pikën b. - në perspektivën e relacioneve të Kosovës me Bashkimin Evropian - pra asaj që u rendua nën b., Kosova vazhdimisht i nënshtrohet kushteve dhe gjendjeve krejtësisht të pafavorshme të krijuara në Bashkimin Evropian në raport me pushtetet politike të Kosovës: 1. Është qe disa herë që kryeministri i Kosovës duhet të gjykohet në Hagë; 2. Përpjekja, megjithëse e paktë, e pushteteve politike të Kosovës vazhdimisht mbetet e pamjaftueshme për inkuadrim në Shengen; 3. Relacioni ekonomik është i vdekur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, etj. Mirëpo megjithatë zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian, kryesisht i angazhuar për marrëdhëniet në Ballkan, sheh vullnet të gatishmërisë së dialogimit në palën e shtetit Serb, derisa Kosovën e sheh si të pavullnetshme.

Ka një paradoks këtu. Ka një mospërputhje e asaj që po ndodh dhe asaj që po deklarohet. Kosova i nënshtrohet kërkesave krejtësisht shpartalluese dhe rrënjësisht të dhembshme derisa megjithatë mbetet problem, dhe në anën tjetër Serbia arrin të del si e gatshme për përparim dhe hapje të rrugës së tejkalimit të krizës pa ndodnjë përpjekje domethënëse. Si mund të ndodh kjo? Si mund të ketë një paradoks krejtësisht të qartë dhe evident në këtë? Si mund të mbetet e izoluar Kosova në një ritual rkejtësisht injorues të saj dhe me këtë të jetë krejtësisht e nënshtruar ndaj kërkesave më të dhembshme jo më vetëm si shtet por edhe në aspektin shoqëror? Ndoshta, duke iu kthyer pikës nën a., përgjigja mund të gjendet në krahasimin e vullnetit të gatishmërisë së pushteteve politike kosovare në raport me atë që nënkupton në të vërtetë ky nocion edhe politik edhe sociologjik.

Nëse Kosova arrinë të gjej mënyra të kalimit nga një etapë zgjedhjesh politike në tjetrën pa pasur asnjë ndrshim dhe asnjë lëvizje por edhe propozim të të resë dhe të të ndryshmes, kjo më nuk është vullnet politik por mbetet në shtresën e humbjes së ndieshmërisë së saj ndaj pushtetit të vet.

Në të vërtetë ajo krijon inercion i cili zhbën dinamikën shoqërore e cila do të mund të zgjidhte pengmarrjen e saj nga gjykatat për shkak të konflikteve lobale, dhe do të mundn të ndërtonte mbi fenomenet sociologjike siç është ballafaqimi me plagët dhe me të kaluarën, apo edhe me përpilimin e dosjeve dhe të dokumenteve të natyrës për të cilën ne gjithëherë mbetemi peng i gjykatave dhe konflikteve të mëdha globale të cilat kërkojnë nënshtrimin e viktimës në raport me të bombarduarin siç ishte Serbia. Vullneti i gatishmërisë për tejkalim të krizë së Ballkanit si nocion edhe politik edhe sociologjik kërkon hapjen dhe evidentimin e shtyllave ku mund të mbështetet shoqëria kosovare.

Autor: Ballsor Hoxha