Wilson: Kosova të shoh te e ardhmja, mos të mbetet në kurthin e së kaluarës

Wilson: Kosova të shoh te e ardhmja, mos të mbetet në kurthin e së kaluarës

Një analist amerikan thotë se Kosova dhe Serbia duhet të shfrytëzojnë momentin e krijuar për t’u dhënë nxitje përpjekjeve për një marrëveshje. Zëvendës presidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se madje idealja do të ishte që udhëheqësit politikë të dy vendeve të bëjnë maksimumin për ta arritur një gjë të tillë, para zgjedhjeve respektive. Zoti Wilson tha gjithashtu se polarizimi politik në Shqipëri, mund t’i mbyllë dyert anëtarësimit në BE.

Zëri i Amerikës: Zoti Wilson, Kosova gjendet në një situatë të re pas dorëheqjes së kryeministrit të saj Ramush Haradinaj. Çfarë mendoni se do të ndodhë tani?

Damon Wilson: Mendoj se është e rëndësishme në këtë kohë, në këtë moment të historisë që udhëheqësit e Kosovës të mendojnë se si ta përdorin këtë krizë si një shans. Jam i shqetësuar se gjithnjë e më shumë Kosova ka ngecur në vend numëro dhe shpresoj që në një farë mënyre kjo krizë politike të shërbejë si një moment kur elita politike dhe popullata të përqendrohen tek rikthimi në rrugën e ndërtimit të së ardhmes të këtij vendi. Kosova nuk do që të mbetet e kapur në kurthin e së kaluarës, apo e kufizuar nga e kaluara, kështuqë në mes të një krize të tillë është e rëndësishme të gjejnë mënyrën se si të krijojnë një qeveri që të gëzojë besimin e popullit, që të ketë aftësinë të qeverisë, të çojë përpara reformat për vendin dhe të jetë në gjendje të paraqesë një front të bashkuar, në një mënyrë domethënëse dhe strategjike dhe një dialog me Beogradin për të çuar përpara diçka që unë mendoj se është shumë e rëndësishme, një dialog që të sjellë si rezultat një pajtim historik, në mënyrë që Kosova të përqendrohet tek e ardhmja e saj dhe jo të mbetet në kurthin e së kaluarës, ose thjesht në vend numëro.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni që zoti Haradinaj me pozicionin e tij ishte një pengesë ndaj këtij qëllimi?

Damon Wilson: Është e qartë se ai kishte shqetësime për natyrën e këtij dialogu dhe mendoj se disa nga ato shqetësime janë legjitime. Kushtet në bazë të të cilave do të zhvillohet çfarëdo dialogu me Serbinë, janë një çështje e rëndësishme dhe delikate. Problemi është se Kosova ka bllokuar veten: tarifa 100 për qind, bllokimi i dialogut dhe fatkeqësisht qeveria e vuri veten në një pozicion ku ishte e vështirë të shihje një lëvizje përpara për vendin, dhe megjithëse kjo mund t’u shërbejë interesave të disave, nuk e imagjinoj dot se si kjo mund t’i çojë përpara objektivat e vendit në përgjithësi.

Prandaj unë e kuptoj që ish-kryeministri kishte rezerva të forta për disa çështje të rëndësishme dhe ky është një debat që duhet të bëhet mes politikanëve të Kosovës. Shqetësimi im ishte se nuk kishte përëpjekje, nuk kishte rrugë se si udhëheqja e Kosovës të shihte përtej ndasive politike, me një zë të koordinuar dhe ta përqendronin vëmendjen tek objektivi final, që është se si të arrihet një marrëveshje me Serbinë që t’i japë mundësinë Kosovës të jetë një vend me normalitet, t’i japë një nxitje reale aspiratave të saj jo vetëm për të hyrë në Interpol për shembull, por të bëhet një ditë pjesë e NATO-s. Mendoj se këtu duhet të jetë vëmendja e Kosovës, se si të ndërtojë të ardhmen dhe muajt e fundit nuk kisha parë shumë përparim në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha se është koha që në Kosovë të ngrihet qeveria e re, të hiqet tarifa dhe të fillojnë negociatat. Cili është mendimi juaj?

Damon Wilson: Jam shumë dakord. Unë mendoj se interesi i mosveprimit, paralizës politike, mugesa e hapave për reforma të thella, probleme të ngurtësisë në dialogun me Serbinë, kjo është një formulë për bllokimin e Kosovës, madje edhe më keq, për hapa prapa. Bota po bën përpara me shpejtësi. Mjaft të shohësh se çfarë po ndodh me teknologjinë, me ekonominë. Populli i Kosovës do që të jetë pjesë e kësaj të ardhmeje dhe për momentin kjo nuk po ndodh.

Prandaj ka një përparësi në afatin e afërt: të ngrihet një qeveri që të qeverisë, që t’i çojë gjërat përpara; të gjendet një mënyrë për t’i çuar gjërat ku ishin, në mënyrë që të zbusim fushatën e Serbisë për të bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe Kosova të heqë tarifat që të themi të drejtën thjesht mbështesin krimin e organizuar, rrjetet kriminale dhe janë ata që përfitojnë nga këto lloj bllokimesh. E treta, të shkohet me një qëndrim të unifikuar, për t’u ulur dhe biseduar me Beogradin para se cikli zgjedhor ta bëjë një gjë të tillë të pamundur.

Pra si ta përdorim këtë moment historik për një marrëveshje. Tani kemi një shans, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, me tranzicionin në BE. Kosovarët dhe serbët mund të përcaktojnë fatin e tyre tani, por duhet qeveria, kthimi tek staus-quoja ku nuk kishte tarifa dhe një qëndrim serioz ndaj negociatave, me synimin për të arritur një rezultat.

Zëri i Amerikës: Duket se Perëndimi i ka shpresat tek Presidentët Thaçi dhe Vuçiç për negociatat. A ekziston rreziku që për shkak të vëmendjes aq të përqendruar aty, të metat në udhëheqjen e Presidentit Thaçi brenda vendit të lihen në hije, për hir të kësaj nevojë për normalizim?

Damon Wilson: Është një çështje e ndërlikuar. Së pari kjo zgjidhje do të ishte historike. Nuk është e thjeshtë. Kërkon vullnet politik, vendosmëri dhe aftësi udhëheqëse. Dhe kur çdo udhëheqës politik vihet në pozitën për të realizuar një gjë të tillë, do të kritikohet ashpër. Është shumë e vështirë dhe duhet të kesh shumë vendosmëri për diçka kaq të madhe si normalizimi që do të çonte në një marrëveshje historike mes Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj unë i përshëndes Presidentët Vuçiç dhe Thaçi që kanë vullnetin të marrin inciativën për këto hapa drejt negociatave.

Por njëkohësisht nuk ka dyshim që kjo nuk është një marrëveshje vetëm mes dy individëve, bëhet fjalë për një pajtim mes dy popujve, dy vendeve. Pra nuk mjafton vetëm zoti Thaçi, do të duhet mbështetje më e gjerë dhe nga disa aktorë politikë. Për të pasur një marrëveshje të qendrueshme në Beograd dhe Kosovë, duhet mbështetje përtej presidentëve të secilit prej vendeve. Por besoj gjithashtu se duhet udhëheqje, vendosmëri dhe kurajo që të nxitet një gjë e tillë, por edhe aftësitë politike për të ndërtuar konsensusin dhe koalicionin e duhur për të siguruar mbështetje për çdo zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Me zgjedhjet në Kosovë ndoshta në vjeshtë dhe ato në Serbi vitin e ardhshëm, a jeni i shqetësuar nga ndryshimet e mundshme në skenën politike të të dyja vendeve?

Damon Wilson: Unë do të preferoja që të shihja një përpjekje intensive që do të çonte përpara dialogun deri në pikën e një marrëveshjeje, para cikleve zgjedhore në secilin prej vendeve. Vizioni im do të ishte që këta udhëheqës të arrinin një marrëveshje dhe pastaj të përballeshin me votuesit në zgjedhje dhe të shihin se si do të shkonte. Mendoj se ende ekziston mundësia për një gjë të tillë. Është diçka delikate me afrimin e cikleve zgjedhore dhe pjesërisht kjo varet nga mënyra se si do të shpaloset situata aktuale politike në Kosovë.

A ekziston një mundësi për të ngritur një qeveri të qëndrueshme që të ketë të paktën mandatin të qeverisë në mënyrë efektive dhe të japë rezultat për negociatat, para zgjedhjeve, kjo do të ishte preferenca ime, pra nëse ka një mënyrë për t’u paraprirë këtyre cikleve zgjedhore. Por do të më vinte shumë keq të shihja që kjo të pengohej për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, zgjedhjeve në Serbi, ndryshimit të udhëheqjes në BE, zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ose zgjedhjeve diku tjetër...gjithmonë ka zgjedhje diku, gjithmonë ka një justifikim.

Kjo nuk ka për të qenë asnjëherë e lehtë, por shqetësimi im është se sa më gjatë të shkojë mungesa e pajtimit, nuk e shoh udhëheqjen e Kosovës të përqendruar për të ndërtuar të ardhmen e vendit. Unë dua të shoh Shtetet e Bashkuara dhe Kosovën të punojnë për një strategji se ku duhet të jetë vendi pas 10 vjetësh. Dhe nëse nuk e zgjidhim këtë tani, do të jemi në të njëjtën pozitë edhe pas dhjetë vjetësh. Kjo nuk është një perspektivë e dëshirueshme.

Zëri i Amerikës: Sa i rëndësishëm është angazhimi amerikan dhe a mendoni se ai do të vazhdojë, apo intensifikohet?

Damon Wilson: Unë kam bindje të plotë se angazhimi amerikan është thelbësor. Marrëveshja duhet të jetë e palëve. Ata duhet të veprojnë. Ata duhet të përcaktojnë të ardhmen e tyre...

Zëri i Amerikës: Por ekziston një mosbesim i thellë dhe prandaj u duhet një ndërmjetës i paanshëm.

Damon Wilson: E vërtetë, dhe prandaj them që është marrëveshja e tyre, por ne duhet të luajmë një rol thelbësor, sepse ne mund të jemi ndërmjetës të paanshëm, mund të ndihmojmë duke ofruar stimuj. Ajo që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është të ndihmojnë si Kosovën dhe Serbinë që t’i shohin mundësitë që hapen nga marrëveshja. Mendoj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara është serioz.

Pavarësisht nga drama jonë politike, kemi pasur një përpjekje serioze nga qeveria, kemi parë që Shtëpia e Bardhë është e angazhuar, Kongresi është i interesuar, e kemi vullnetin dhe mund ta luajmë rolin dhe mund të jemi një katalizator i dobishëm në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Wilson, në Shqipëri situata ka qenë e vështirë, me zgjedhje lokale që pasua tensione të forta politike. Megjithëse Shtetet e Bashkuara ishin pro mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri, nuk duket se ato kanë zgjidhur ndonjë gjë të madhe dhe tani shumica ka jo vetëm kontrollin e Parlamentit dhe të degës ekzekutive por edhe bashkitë. Ndërkohë shpresa e Shteteve të Bashkuara për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese duket se do të jetë e vështirë të realizohet. A jeni i shqetësuar që kjo situatë ka qenë goditje e fortë ndaj institucioneve dhe që kemi një forcë politike që kontrollon gjithçka?

Damon Wilson: Unë e admiroj Shqipërinë. Unë isha krenar që kontribuova që Shqipëria të hyjë në NATO dhe vërtet do të doja që të zinte vendin e saj në Bashkimin Evropian. Më zhgënjen fakti që ka një polarizim aq të madh politik dhe problemi është se Shqipëria po humb një shans historik. Polarizimi politik që udhëheqësit politikë kanë lejuar ta mbërthejë vendin, ka një kosto të lartë jo për Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, por për popoullin e Shqipërisë. Ata po i japin çdo arsye Brukselit dhe BE-së të thonë: ‘jo, ende jo.

Nuk jemi të gatshëm të hapim negociatat e anëtarësimit me një vend si Shqipëria, nëse nuk kryen këto procese bazë’. Unë kam bindjen e fortë se luftrat politike duhen bërë përmes procesit kushtetues, përmes institucioneve demokratike, duke gjetur mënyrat e përdorimit të pushtetit. Do të doja që të gjitha forcat politike në Shqipëri të përdorin në maksimum aftësinë për të konkurruar duke respektuar kushtetutën dhe brenda institucioneve demokratike.

Kjo nuk po ndodh dhe për fat të keq shoh një prirje në Ballkanin Perëndimor, me politikë protestash, bojkoti, deklarim të armikut politik si ilegjitim. Nëse kjo bëhet e ardhmja e politikës në Ballkanin Perëndimor, do ta kthejë mbrapsht rajonin. Mendoj se ky është problem serioz për Shqipërinë dhe nëse udhëheqësit politikë nuk gjejnë një mënyrë për të qenë konkurrentë të përgjegjegjshëm brenda kornizës kushtetuese, kostoja do të paguhet nga populli shqiptar.

Zëri i Amerikës: Duke e vënë fokusin tek pjesëmarrja në institucione, a nuk krijohet përshtypja sikur po mbështetet njëra palë, ndërkohë që shumë nga shqetësimet që ka shprehur opozita janë legjitime? A druheni se qeveria mund ta përdorë këtë qëndrim si mbështetje ndaj saj, duke përqafuar disa qëndrime që mund të konsiderohen si autokratike?

Damon Wilson: Më lejoni të jem i qartë: Çdo qeveri që rrëshqet në një rrugë autokratike, thjesht i mbyll dyert hyrjes në BE. Nuk do të ketë një të ardhme për vendet e Ballkanit që përqafojnë autoritarizmin. Është një formulë për një rrugë pa krye dhe nuk ka shumë vende të BE-së dhe NATO-s që do ta mbështesin një gjë të tillë. Në ato raste vendet pastaj fillojnë flasin me Rusinë, me Turqinë. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë e tillë. E ardhmja e Shqipërisë, është e lidhur me Perëndimin dhe institucionet perëndimore dhe premisat e atij komuniteti janë, që janë shoqëri të lira, si pjesë e botës së lirë.

Pra absolutisht që ka shqetësime legjitime. Unë nuk po mbështes kontroll të plotë nga një parti. Ajo që po them është se duhet të ketë një mënyrë për të luftuar brenda sistemit, për të krijuar legjitimet të kontrolleve dhe balancave, për të rindërtuar strukturën e Gjykatës Kushtetuese. Ka një korrupsioni dhe një anë të kalbur të shoqërisë shqiptare që duhet të luftohet. Nëse shqiptarët nuk gjejnë një zgjidhje vetë, dyert e BE-së do të mbyllen. Pra unë nuk mbështes Edi Ramën, Bashën apo dikë tjetër. Pikëpamja ime si pjesë e Këshillit të Atlantikut, si amerikan është pro-Shqipërisë.

Dua të shoh një vend të fortë dhe funksinal. Jam thjesht i shqetësuar se natyra e luftës politike në vend. Ndoshta Shtetet e Bashkuara mund edhe t’i bëjnë ballë këtyre betejave pak më lehtësisht se Shqipëria, Mendoj se hyrja në BE varet aq shumë nga ndërtimi i së ardhmes së Shqipërisë, saqe të paktën do të doja të shihja një konsensus në këtë drejtim. Duhet të kemi disa kompromise, duhet të kemi disa lëvizje apo gjeste të vullnetit të mirë nga ana e një qeveria që kontrollon shumë nga levat e pushtetit. Por duhet të shohim edhe një vullnet nga ana e opozitës për të qenë pjesë e procesit.


MË SHUME NGA Intervista