Ngritët aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren

Ngritët aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet se vepra penale është kryer gjatë vitit 2015.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari N.K., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e  Prizrenit,  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

Sipas prokurorisë, vepra është kryer në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, i pandehuri lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion  vlera totale e kontratës arrin shumën 7,200 euro.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Kryeziu i ka përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputetin aktual të PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, dy muaj më parë Kryeziu u shkarkua edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi