Dështon seanca në rastin ku paditësi kërkon kompensim për lëndimet në punë

Dështon seanca në rastin ku paditësi kërkon kompensim për lëndimet në punë

Për shkak të mungesës së përfaqësuesve të kompanisë “Rukolli”, ka dështuar seanca e paraparë të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në rastin ku Hasan Xhylani po kërkon kompensim dëmi.

Paditësi Xhylani , ka ushtruar padi ndaj kompanisë N.N “Rukolli”, nga e cila kërkon kompensim dëmi në shumë prej rreth 10 mijë euro, me pretendimet se ishte lënduar në vendin e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes, Jeton Krasniqi, ka njoftuar se më 17 korrik 2019, të autorizuarit e palës së paditur, kompanisë “Rukolli”, avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi, kanë kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhet për një datë tjetër, për arsye se ata gjenden në pushime gjatë kësaj kohe.

Pasi që kanë munguar të autorizuarit e palës së paditur, shtyrjen e seancës për një datë tjetër e ka propozuar edhe përfaqësuesi i paditësit Hasan Xhylani , avokati Jeton Idrizi.

Avokati Idrizi, gjithashtu ka deklaruar se e kanë pranuar ekspertizën mjekësore dhe ndaj saj nuk kanë vërejtje dhe se nuk kërkojnë sqarime shtesë nga ana e eksperteve mjekësorë, duke shtuar se precizimin e kërkesëpadisë e kanë bërë duke u bazuar në ekspertizë.

Por, pas propozimeve, Gjykata ka marr aktvendim që kjo seancë të shtyhet për 22 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, Hasan Xhylani , më 29 dhjetor 2015, ka ushtruar padi, pasi pretendon se ishte lënduar në punë.

Në padi thuhet se Xhylani  ka qenë punëtor te e paditura nga 1 janar 2015.

Sipas padisë, më 7 nëntor 2015, në fshatin Komoran të Drenasit, derisa Xhylani  ishte në vendin e punës, i cili kishte hipur mbi skele, duke përgatitur vendin për pllakë, skelet kanë qenë prej druri dhe nuk kanë pasur stabilitet të mjaftueshëm dhe në një moment të njëjtat thyhen dhe paditësi bie nga një lartësi prej 3.5 metra dhe përplasët në beton.

Sipas padisë, thuhet se kjo është shkaktuar si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës nga ana e të paditurës dhe se nga kjo përplasje paditësi ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Përmes padisë, ai kërkon nga Gjykata që të aprovohet kërkesëpadia dhe padia e tij, dhe të detyrohet e paditura që për lëndimet e pësuara në punë paditësit t’i kompensojë dëmin material dhe jo material në shumë të përgjithshme prej 9.300 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi