Ish-gjykatësit i vërtetohet dënimi me burg dhe gjobë për pastrim të parave

Ish-gjykatësit i vërtetohet dënimi me burg dhe gjobë për pastrim të parave

Ish-gjykatësit Kolë Puka i është vërtetuar dënimi me burg dhe gjobë i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, për veprën penale të pastrimit të parave.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 shkurt 2019, ish-gjykatësin Kolë Puka, që akuzohej për pastrim të parave e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit burgim dhe me 3000 euro gjobë.

Kësisoj, Gjykata e Apelit, përkundër se e ka aprovuar si të bazuar ankesën të akuzuarit Puka dhe të njëjtit ia ka ricilësuar veprën penale të pastrimit të parave nga neni 56 i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në nenin 10.02 të rregullores së UNMIK-ut 2004/2, të njëjtit nuk i është zvogëluar edhe dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë.

“Me aprovimin e ankesës së të akuzuarit Kolë Puka, e sipas detyrës zyrtare, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore-Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, PKR.nr.143/18, datë 27.02.2019, përkitazi me ri cilësimin e veprës penale dhe vendimit mbi dënim, ashtu që i akuzuari Kolë Puka shpallet fajtor për veprën penale Pastrimi i Parave nga neni 10.02 i rregullores së UNMIK-ut 2004/2 dhe për këtë vepër penale ia merr si të vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti dhe dënimin me gjobë në shumë prej 3000 eurove”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Kryetarja e trupit gjykues në shkallë të parë, Nushe Kuka-Mekaj, në shpalljen e aktgjykimit kishte deklaruar se Puka, është gjetur fajtor se gjatë viteve 2004–2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Por, këtë dënim të shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSKR) e kishte cilësuar si tepër të butë, andaj i kishte propozuar Apelit që ndaj Pukës të shqiptojë një dënim më të ashpër.

Në anën tjetër, i akuzuari Puka pretendonte se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, për çka kishte kërkuar nga shkalla e dytë që aktgjykimin e Themelores ta anuloj dhe çështjen ta kthej në rigjykim apo që të njëjtit t’ia zbut dënimin në dy muaj burgim apo që të liron krejtësisht nga përgjegjësia penale.

Mirëpo, pretendimet e të akuzuarit dhe të PSRK-së lidhur me lartësinë e dënimit, i ka refuzuar si të pabazuara kolegji i Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Mejreme Memaj, Driton Muharremi dhe Fillim Skoro.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, gjykata e shkallës së dytë duke vendosur lidhur me vendimin mbi dënim, nuk ka mundur të shkelë parimin “Reformatio in Peius”, duke ia keqësuar pozitën të akuzuarit, për shkak të mjetit juridik që e ka ushtruar në këtë rasti i akuzuari.

Kjo, pasi Puka ishte shpall fajtor dhe dënuar nga shkalla e parë me katër vjet e gjashtë muaj burgim për tri vepra penale, dënim i cili ishte zbritur pastaj në tre vjet e gjashtë muaj burgim nga Apeli si dhe përfundimisht në tre vjet e katër muaj nga Gjykata Supreme, e cila edhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje vetëm sa i përket veprës penale të pastrimit të parave.

“Gjykatës së Apelit në një situatë të tillë të krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe tani aktgjykimit të Gjykatës Themelore nuk i mbetet mundësi tjetër pos që t’i merr si të vërtetuara këto dënime dhe t’i shqiptojë dënimin unik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj, aq sa është shqiptuar më vendimin e Gjykatës së Apelit, duke i ikur shkeljes se parimit Reformatio in Peius”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sa i përket gjendjes faktike, Apeli ka vlerësuar se e njëjta është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë nga shkalla e parë, duke e cilësuar po ashtu si të drejtë vendimin e Themelores për refuzimin e propozimit të mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarit Spasoje Gjurishiq dhe dëshmitarëve tjerë, me arsyetimin se të njëjtit veç se janë dëgjuar gjatë gjykimit të parë.

Ndërsa, Apeli ka vlerësuar se në këtë rast është dashur të bëhet ricilësimi i veprës penale nga neni 56 i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, në veprën penale Pastrimi i Parave nga neni 10.02 i rregullores së UNMIK-ut 2004/2, për faktin se meqë të dy këto vepra penale kanë sanksionin e njëjtë penal dhe se asnjëri prej tyre nuk është më i favorshëm për palën, atëherë duhet aplikuar ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes se veprës penale, e që në këtë rast është rregullorja e UNMIK-ut 2004/2, pasi që i akuzuari veprën penale për të cilën është shpallur fajtorë e ka kryer ne periudhën 2004-2008, kur ka qenë në fuqi kjo rregullore.

Ndryshe, ish-gjykatësi Puka më 28 qershor të vitit 2017, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me katër vite e gjashtë muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet, për veprat penale “nxjerrje e paligjshme e vendimeve gjyqësore”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “pastrim i parave”, ndërsa ishte liruar për “shmangie nga tatimi”.

Këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën më të madhe të tij e kishte vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë, e cila të akuzuarit i kishte shqiptuar një dënim më të butë, ashtu që të akuzuarin Puka e kishte gjykuar me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 3000 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 15 maj 2018, ka miratuar pjesërisht kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të mbrojtësit të të dënuarit Kolë Puka, dhe ka anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me veprën penale pastrimi i parave dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

“Pjesa tjetër e aktgjykimit është ndryshuar vetëm përkitazi me dënimin e shqiptuar, ashtu që për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, e merr si të vërtetuar, kurse për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, po ashtu e merr si të vërtetuar, ashtu që i shqipton dënim unik burgimi, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu, Gjykata Supreme ia ka zbutur dënimin ish-gjykatësit Puka për dy muaj më pak.

Ndryshe, ky proces gjyqësor zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ishte ngritur më 29 dhjetor të vitit 2015.

Sipas pikës 3 të aktakuzës, për të cilën pikë edhe ishte kthyer lënda në rivendosje, Puka ngarkohet më veprën penale të pastrimit të parave.

Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2002 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal, dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Por, me ndryshimin e aktakuzës nga prokuroria, periudha kohore në të cilën Puka ka kryer veprën penale të pastrimit të parave është konsideruar nga viti 2004 e deri në vitin 2008.

Në aktakuzë thuhet se Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe, në Mal të Zi, kishte blerë dy parcela, ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi