Dënohet me gjobë i akuzuari për organizim të paligjshëm të lojërave t`fatit

Dënohet me gjobë i akuzuari për organizim të paligjshëm të lojërave t`fatit

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, të martën, e ka dënuar me 800 euro gjobë të akuzuarin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, Denis Kandiq.

Fillimisht, Kandiq është dënuar me gjashtë muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit është shndërruar në dënim me gjobë në shumë prej 800 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Arben Mustafaj, të akuzuarit në dënim do t’i llogaritet edhe koha prej një muaji e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, sipas gjykatësi Mustafaj, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënim plotësues konfiskimi i sendeve të përshkruara si në aktakuzë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë, pasi që paraprakisht i pandehuri Denis Kandiq është deklaruar fajtor lidhur me veprën penale.

“Është hera e parë që kam rënë ndesh me ligjin. Kërkoj nga gjykata që të këtë parasysh faktin se e kam nënën e sëmurë, një fëmijë të vogël që më duhet të kujdesëm për ta, si dhe kushtet ekonomike jo të mira”, ka thënë i akuzuari Kandiq.

Edhe mbrojtësi i tij, avokati Gani Kelmendi, është pajtuar me pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“I pandehuri pranimin e fajësisë e ka bërë edhe në fazat e mëhershme të procedurës, andaj kërkoj nga gjykata që të mbrojturit tim t’i shqiptoi një dënim më të lehtë, duke marrë për bazë edhe rrethanat familjare qe ai vetë i potencoi”, tha ai.

Me pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarit është pajtuar edhe prokurori Muharrem Bajraktari, i cili i ka propozuar gjykatës që pranimin e fajësisë ta merr si rrethanë lehtësuese me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit.

“Shtoi se edhe më tutje mbesim pranë propozimit për konfiskim të sendeve të sekuestruara”, tha prokurori Bajraktari.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 korrik 2019, e ngarkon të pandehurin Denis Kandiq me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, më parë e gjerë më 26 qershor 2019, rreth orës 20:30, në fshatin Baicë, pikërisht në rrugën “8 Maji”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete në kundërshtim me ligjin, i pandehuri merret me organizimin e lojërave të ndaluara të fatit.

Sipas aktakuzës, natën kritike Policia pas pranimit të informacionit, ka shkuar tek lokali i të pandehurit, dhe aty ka hasur në dëshmitarët, të cilët kishin blerë 21 tiketa të lojërave të fatit, dhe kanë qenë duke pritur rezultatet e lojërave të cilat ishin të shtypura më datën 26 qershor 2019. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi