Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për kanosje ndaj komandantit të policisë

Mungon i akuzuari, dështon gjykimi për kanosje ndaj komandantit të policisë

Në mungesë të të akuzuarit për kanosje, Fadil Morina, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Lidhur me mungesën e të pandehurit, gjykatësi Bekim Veliqi, ka deklaruar se ai është ftuar me rregull, mirëpo mungesën nuk e  ka arsyetuar.

Morina, akuzohet se në vitin 2015, kishte kanosur komandantin e stacionit policor të Mitrovicës-Veriore, Nenad Gjuriq, dhe me këtë i kishte shkaktuar frikë atij dhe familjes së tij.

Gjykatësi Veliqi, ka deklaruar se do të ndërmerren veprime ligjore për sigurimin e të pandehurit në seancën e ardhshme, e cila është caktuar për 16 gusht 2019, në ora 09:30.

Të martën kanë prezantuar në gjykatore dëshmitarët Dushan Nedelkoviq dhe Anica Jakovleviq, si dhe prokurori Shpëtim Peci.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e ngarkon Fadil Morinën, me veprën penale “kanosje”, nga neni 185 par 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Morina, më 24 nëntor 2015, rreth orës 22:50, me telefon kishte thirrur në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut dhe i kishte thënë personit kujdestar se “kur dal nga burgu do t`ia q***n**** do t`ia gjuaj bombën në shtëpi” komandantit Nenad Gjuriq, për kinse ai e ka rregulluar dhe është në paraburgim.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i pandehuri i kishte shkaktuar frikë të dëmtuarit dhe familjes së tij.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi