Apeli lë në paraburgim të dyshuarin për krime lufte ndaj popullatës civile

Apeli lë në paraburgim të dyshuarin për krime lufte ndaj popullatës civile

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për krime lufte ndaj popullatës civile, Goran Stanishiq.

Në këtë mënyrë, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, marrë më 22 korrik të këtij viti, sipas të cilit ndaj Stanishiq ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke u aprovuar kështu kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për caktimin e kësaj mase.

“Gjykata e Apelit, gjeti se aktvendimi për caktimin e paraburgimit, ndaj të pandehurit është i drejtë dhe i ligjshëm, ngase ekziston dyshimi i bazuar, se ai e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, ndërkaq ekzistojnë arsye për te besuar,  se  mund të ikë ose arratiset, më qellim të shmangies se procedurës penale, të ndikoj në prova ose dëshmitarë ose të kryej ndonjë vepër penale të re.”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Apelit.

Goran Stanishiq është arrestuar më 20 korrik të këtij viti, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me të pandehurit e tjerë ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, në kundërshtim me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (KPRSFJ) lidhur me Nenin 3 të Konventës së katërt të Gjenevës, po ashtu e penalizuar me nenin 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Prokuroria Speciale, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, i pandehuri Stanishiq., në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë, pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policor të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në Komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë./Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi