Prokuroria propozon t’i rritet dënimi ish-arkëtarit në KRU “Mitrovica”

Prokuroria propozon t’i rritet dënimi ish-arkëtarit në KRU “Mitrovica”

Ndryshimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin ish-arkëtari i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, Mirsad Veseli, ishte shpallur fajtor për përvetësim në detyrë dhe ishte dënuar me burg efektiv, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit, mbrojtja e të akuzuarit, si dhe prokuroria.

Derisa, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar Apelit ashpërsimin e dënimit ndaj Veselit, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Shqipe Mehmeti, ka propozuar që i mbrojturi i saj të gjykohet për vepër penale në vazhdim dhe dënimi me burg efektiv t’i shndërrohet në dënim me gjobë.

Ankesa e prokurorisë, ajo e mbrojtjes si dhe deklarimi i Prokurorisë së Apelit lidhur me to, janë shqyrtuar të martën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Hava Haliti, Fillim Skoro dhe Abdullah Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 18 mars të vitit 2019, e kishte dënuar me 30 ditë burgim efektiv, Mirsad Veselin, i cili akuzohej nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, se në pozitën e arkëtarit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, ka përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Përveç dënimit me burgim, i akuzuari Veseli, është obliguar që të dëmtuarës, KRU “Mitrovica”, t’i paguajë shumën e përvetësuar prej 1.511.30 euro, duke përfshirë edhe kamatën gjithsej në vlerë prej 1.733 euro.

Paraprakisht, i akuzuari Mirsad Veseli, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 11 mars 2019, kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Por, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur organi i akuzës, kjo pasi që sipas ankesës që ka bërë në Apel, gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të dënimit ka marr parasysh vetëm rrethanat lehtësuese, e jo edhe ato rënduese për të akuzuarin.

Sipas prokurorisë, po të vlerësoheshin drejtë rrethanat rënduese, ndaj të akuzuarit do të duhej të shqiptohej një dënim më i ashpër me burg.

Këtë ankesë të Prokurorisë Themelore, përmes një parashtrese e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar që të aprovojë si të bazuar ankesën e prokurorisë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të ashpër.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Shqipe Mehmeti, aktgjykimin e shkallës së parë e ka kundërshtuar për shkak të pretendimeve se i njëjti është i përcjellë me shkelje të ligjit penal si dhe për shkak të lartësisë së dënimit.

Sipas ankesës së avokates Mehmeti, e cila u referua nga gjykatësi raportues Fillim Skoro, i akuzuari Veseli edhe më parë është gjykuar dhe dënuar për veprën penale të përvetësimit në detyrë, andaj, edhe rasti i fundit sipas avokates, është dashur të merret si vepër në vazhdim e jo e ndarë nga të tjerat.

Për këtë arsye, avokatja i ka propozuar Apelit, që të mbrojturin e saj ta shpall fajtor për një vepër penale të përvetësimit në detyrë në vazhdim dhe për këtë vepër, krahas dënimit me kusht që i kishte shqiptuar gjykata vitin e kaluar, ta dënojë me gjobë në vend të dënimit me burg efektiv.  .

“Nuk kam me shtu tjetër, i njëjti është në marrëdhënie të punës, me shkuarjen e tij në burg do të humb edhe punën si dhe është mbajtës i familjes”, tha avokatja Mehmeti në fjalën e saj.

I akuzuari Veseli ishte shpallur fajtor dhe dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 500 euro gjobë, për veprën penale të përvetësimit në detyrë edhe në maj të vitit 2018. Atë kohë, Veseli akuzohej se në pozitën e arkëtarit në kompaninë “Ujësjellësi Rajonal SH.A Mitrovica”, kishte përvetësuar mbi gjashtë mijë euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 24 tetor 2018, Mirsad Veseli akuzohej se në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, vepra penale është kryer në atë mënyrë që ai shumën e parave të inkasuar nga konsumatorët nuk e ka dorëzuar në arkën e kompanisë dhe as nuk e ka shlyer nga evidenca borxhin e konsumatorëve të cilët kishin kryer pagesë, me ç’rast kishte përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi