Komuna dhe tri organizata duan kthimin e objektit të braktisur

Komuna dhe tri organizata duan kthimin e objektit të braktisur

Komuna e Prishtinës dhe tri organizata joqeveritare kanë bashkuar forcat për kthimin e një objekti të braktisur në Qendër të Artit.

Marrëveshja është nënshkruar sot, mes nënkryetarit Muhedin Nushi dhe përfaqësuesve të konsorciumit të organizatave Shtatëmbëdhjetë, Fondacioni Trashëgimia pa Kufij (CHwB) dhe Qendra Multimedia.

E kjo marrëveshje nënkupton revitalizimin e objektit të braktisur në lagjen e Kacallarëve në Prishtinë.

“Marrëveshja përveç revitalizimit të vetë objektit, parasheh edhe shndërrimin e këtij objekti në hapësirë shumëfunksionale dhe Qendër të Artit për komunitetin, ku edhe do të ofrohen programe vjetore në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore e aktivizmit qytetar”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.

Një përshkrim i shkurtër është dhënë për këtë objekt, i cili gjendet në njërën prej lagjeve më të vjetra të Kryeqytetit dhe thuhet se është ndërtuar shekullin e kaluar nga atdhetari Shyqri Begu.

“Përgjatë viteve është shfrytëzuar për destinime të ndryshme, ku pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë burg i Policisë serbe e më vonë klub i boksit, në vitet e 60’ta i shërbeu Entit të Botimeve kurse më vonë u shfrytëzua si objekt banimi. Tash po i kthehet komunitetit”, thuhet në njoftim.