SHBA sinjalizon zbutje në luftën tregtare me Kinën

SHBA sinjalizon zbutje në luftën tregtare me Kinën

Shtëpia e Bardhë sinjalizoi se nuk po përpiqet të shkallëzojë më tej luftën tregtare me Pekinin. Komentet vijnë pas hapit, kryesisht simbolik, të ndërmarrë nga administrata e Presidentit Donald Trump për ta shpallur Kinën manipuluese të monedhës.

"Ne kemi negociuar në mirëbesim dhe duam të vazhdojmë të negociojmë në mirëbesim me kinezët", megjithë zhgënjimin me negociatorët e Kinës për të mos përmbushur premtimet e mëparshme dhe mungesën e përparimit, u tha gazetarëve të martën Larry Kudlow, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar.

"Dera është e hapur për negociata shtesë," tha zoti Kudlow. "Ne po planifikojmë që ekipi kinez të vijë këtu në shtator", pasi raundi i fundit i bisedimeve javën e kaluar në Shanghai nuk arriti përparim.

Nëse ka një marrëveshje ose përparim, tha ai, Presidenti Trump mund të rishqyrtojë disa nga veprimet që ka ndërmarrë, të tilla si heqja e tarifave të reja për produktet kineze.

Zoti Kudlow paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk arrihet përparim, një veprim i ri ndëshkues kundër Kinës mund të merret nga presidenti.

"Presidenti po mbron ekonominë amerikane," theksoi zoti Kudlow.

Të martën në Twitter, Presidenti Trump premtoi mbrojtje të mëtejshme për sektorin bujqësor amerikan, i cili po përjeton një rënie blerjesh nga Kina.

Presidenti Trump ka kanalizuar miliarda dollarë ndihma të qeverisë amerikane në favor të fermerëve, për të mbuluar të ardhurat e tyre të humbura. Ai përballet me rizgjedhje në vitin 2020, dhe shtetet ku ndodhen fermat e mëdha kanë qenë një bazë e mbështetjes për të.

Tensioni tregtar SHBA-Kinë i ka trazuar tregjet globale të aksioneve.

Zoti Kudlow pranoi se tregjet e aksioneve kanë qenë të paqëndrueshme, por shpjegoi se "këto gjëra shkojnë e vijnë"./VoA