Bie besimi te ekonomia, 61 % e shqiptarëve të pashpresë

Bie besimi te ekonomia, 61 % e shqiptarëve të pashpresë

Sipas sondazhit të vitit 2019, pesimizmi për ekonominë është rritur me 14 %, krahasuar me 2018-n. Bie edhe besimi për parlamentin dhe qeverinë. Gjysma e shqiptarëve nuk besojnë te zhvillimi ekonomik

Situata më e ngutshme me të cilën përballen shqiptarët është gjendja ekonomike e vendit. 38% e konsiderojnë situatën ekonomike një nga dy çështjet më të ngutshme, 5% në krahasim me sondazhin e mëparshëm në vitin 2018. Mbështetja e perceptuar e vazhdueshme e Komisionit Evropian për qeverinë Rama gjithashtu po fillon të tregojë besimin e shqiptarëve te Bashkimi Evropian. Në vjeshtën e vitit 2018, 23% e shqiptarëve nuk kishin besim te Bashkimi Evropian. Ky numër ka shkuar deri në 27% të popullsisë. Në të njëjtën kohë, gjithashtu besimi në Parlamentin shqiptar ka rënë nga 51% në 44%, dhe besimi në qeverinë shqiptare të kryeministrit Edi Rama nga 47% në 40%. Sondazhi që u mbajt në 34 shtete të Evropës, përfshirë ato kandidate, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, tregojnë se kontinenti i vjetër ka rifituar optimizmin e humbur 5 vite më parë, janë të kënaqur me stadin e demokracisë dhe ekonomisë në BE, ndërsa renditin si sfida të ardhshme emigracionin, ndryshimet klimatike, terrorizmin dhe papunësinë.

Shqiptarët po humbasin edhe besimin tek Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian po humbet gjithnjë e më shumë besimin e qytetarëve shqiptarë. Eurobarometër, një strukturë në varësi të Komisionit Evropian, publikoi të dhënat e siguruara nga një sondazh i kryer në pranverë në vendin tonë. Sondazhi rreket që të marrë një vlerësim nga qytetarët shqiptarë për fushat dhe institucionet kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt, ose tërthorazi në përditshmërinë e tyre. Në total, sipas shifrave të publikuara nga Eurobarometër, janë pyetur 1005 vetë në Tiranë e nga rrethe me prejardhje nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe për nga niveli i arsimimit. Ajo që bie në sy është rënia e besimit te BE me katër pikë në krahasim me sondazhin e njëjtë të zhvilluar në muajt e vjeshtës së 2018. Në fund të vitit të kaluar, 23 për qind e shqiptarëve prireshin që të mos i besonin Bashkimit Europian. Brenda pak muajve, kjo shifër u rrit me katër pikë, duke shkuar në 27 për qind. Rritja e fortë e mosbesimit ka mbërritur në muajt kur zërat kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit në muajin qershor po forcoheshin gjithnjë e më shumë. Qershori i 2019 ishte një gjysmë premtim i dhënë që në 2018 nga ana e Brukselit për kandidaturën e vendit tonë, që në këtë rrugëtim, të paktën deri më tani, është shqyrtuar paketë me atë të Maqedonisë së Veriut.

Akuzat e opozitës ndaj përfaqësuesve të BE-së, por deri diku edhe mënyra sesi Bashkimi Evropian u përball dhe po përballet me krizën politike që shpërtheu në Shqipëri në shkurt të këtij viti, duket se është reflektuar me shpejtësi në mendimin e shqiptarëve sa i takon BE-së si institucion. Të anketuarit janë pyetur edhe mbi gjendjen e ekonomisë. Atyre u është kërkuar që të japin një vlerësim mbi gjendjen ekonomike aktuale të vendit. Vlerësimi ndahej në tre kategori; “totalisht mirë”, “totalisht keq” dhe “Nuk e di”. Rezultati tregon një rritje të fortë në krahasim me 2018 të qytetarëve shqiptarë që e vlerësojnë “totalisht keq” gjendjen ekonomike. Plot 61 për qind e shqiptarëve e vlerësojnë ekonominë “totalisht keq” në sondazhin e Eurobarometër, 14 për qind më shumë se në vjeshtën e 2018. Në këtë rezultat mund të ketë ndikuar edhe kriza politike, që sapo kishte shpërthyer. Opozita kishte djegur mandatet që në muajin shkurt, por protesta periodike të saj u shoqëruan me episode dhune sidomos përgjatë pranverës. Ajo që vë re sondazhi i Eurobarometër është se mungon edhe optimizmi. Shqiptarët nuk presin ndonjë ndryshim të madh ekonomik nga gjendja aktuale në 12 muajt në vazhdim, madje, sipas këtij sondazhi është shtuar numri i atyre që mendojnë se situata nuk do të ndryshojë. 49 për qind e të anketuarve besojnë se gjërat do të përmirësohen brenda harkut kohor të një viti, por shifra është 4 për qind më pak se ajo e atyre që besonin në përmirësimin e situatës ekonomike në vjeshtë të 2018. Ata që nuk presin asnjë ndryshim, as për mirë dhe as për keq janë shtuar me 5 për qind në krahasim me sondazhin e 2018, duke shkuar në 33 për qind, ndërsa ka një rënie të lehtë me 2 për qind numri i atyre që mendojnë se situata ekonomike do të përkeqësohet.

Perceptimi për vitet në vijim

Në lidhje me perceptimin e shqiptarëve për vitet në vijim, situata mbetet më komplekse. Shumica e të anketuarve rreth, 49 për qind, mendojnë se situata do të mbetet e njëjtë. Kjo përfshin faktin se ekonomia shqiptare nuk ka për të ndryshuar ritmin e saj të zhvillimit. Mungesa e zhvillimit ekonomik do të ndjehet tek të ardhurat e qytetarëve dhe në jetën e tyre të përditshme. Në po të njëjtën gjendje pesimiste mendohet edhe për situatën e punësimit në Shqipëri. 26 për qind e të anketuarve mendojnë se situata e punësimit do të jetë me keq, ndërsa rreth 44 për qind, kanë një tjetër perceptim. Ata shohin diçka pozitive në këtë drejtim, duke pasur edhe shpresa për vitet në vijim.

Financat

Të pyetur për situatën e financave të tyre personale, çështja ndryshon, duke nxjerrë sërish  në pah karakterin sa optimist aq edhe paradoksal të shqiptarëve, pasi këtu, 56% e të anketuarve shprehen se është tërësisht e mirë. Vetëm 44% e vlerësojnë si tërësisht të keqe situatën aktuale të financave personale. Pra, në masë, shqiptarët mendojnë se situata e vendit është më keq se situata në shtëpinë e tyre, të paktën sa i përket ekonomisë dhe financave. Sa i përket problemeve kryesore të ekonomisë së vendit, shqiptarët në krye radhisin: situatën ekonomike, papunësinë dhe sigurinë sociale dhe shëndetësore. Por, të pyetur për shqetësimet personale, ata radhisin në krye: çmimet në rritje bashkë koston e jetesës, kushtet e jetesës si dhe sigurinë shëndetësore dhe sociale. Të pyetur për pritshmërinë në të ardhmen vëmë re edhe një herë se optimizmi i shqiptarëve nuk është venitur aspak, përkundrazi. Të dhënat tregojnë qartë se, shqiptarët janë thuajse dy herë më optimist se evropianet. Thuajse gjysma e shqiptarëve presin që situata ekonomike të përmirësohet në 12 muajt e ardhshëm. Në Evropë, kjo normë është sa gjysma. Vetëm rreth 20% e shqiptarëve mendojnë se situata do të përkeqësohet. /Shekulli