Dështon gjykimi për sulm ndaj drejtorit në Komunën e Istogut

Dështon gjykimi për sulm ndaj drejtorit në Komunën e Istogut

Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, ka dështuar të mbahet seanca fillestare e paraparë për të mërkurën, në rastin ku Fatmir Shala po akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar.

Shkak i dështimit të seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Mustafaj tha se mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ramadan Shatri, ka dorëzuar një parashtresë në gjykatë, me të cilën ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër.

“Në parashtesën e dorëzuar nga avokati Ramadan Shatri thuhet se i mbrojturi i tij gjendet në trajtim mjekësor në shtetin e Zvicrës dhe nuk ka pas mundësi t’i përgjigjet ftesës së gjykatës”, tha gjykatësi Mustafaj.

Ai tha se seanca e radhës do të mbahet më 28 gusht 2019, nga ora 11:00.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 27 maj 2019, e ngarkon të pandehurin Fatmir Shala me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 26 prill 2019, rreth orës 15:55, në parkingun e Kuvendit Komunal në Istog, me dashje ka sulmuar personin zyrtar – të dëmtuarin Enver Rugova, në lidhje me detyrën zyrtare, e cila rezulton me lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Enver Rugova mban pozitën e drejtorit për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Istogut.

Sipas aktakuzës, paraprakisht ditën kritike rreth orës 14:30 i pandehuri kishte shkuar në zyrën e të dëmtuarit Rugova, për të kërkuar që drejtoria ku ai punon t’ia bënë zgjidhjen e çështjes së gypave të kanalit të ujit, ku në aktakuzë thuhet se aty i pandehuri ka pas sjellje agresive.

Në aktakuzë thuhet se, pas kësaj i pandehuri ka dal jashtë duke pritur, dhe më të vërejtur se i dëmtuari është duke dalur nga objekti, në mënyrë tinzare dhe të papritur i është afruar atij duke iu drejtuar me fjalët “ti s’po don me ma kry qat punë..” dhe menjëherë e ka goditur me grusht në buzën e epërme, duke e rrëzuar në tokë, ku edhe pas kësaj ka vazhduar të godet edhe disa herë.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, pas këtij veprimi, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi