Muzeu i Louvre- it, i mbipopulluar: Hyrja vetëm me rezervim online!

Muzeu i Louvre- it, i mbipopulluar: Hyrja vetëm me rezervim online!

Nisur nga fluksi i jashtëzakonshëm i kësaj vere, hyrja në muzeun e famshëm të Luvrit (Louvre- it) në Paris do të mundësohet vetëm përmes një rezervimi online. Kërkesa në fjalë do të zgjasë deri fundin e këtij viti.

Mbipopullimi është kthyer në një problem jo të vogël për një nga muzetë më të famshëm në botë, ku sipas statistikave, Luvri mbetet më i vizituari në planet, nisur nga fakti që përpos veprave të tjera, brenda tij gjendet edhe Mona Lisa e Leonardo Da Vinci- t.

“Radha është goxha e gjatë. Ne e blemë biletën online ndaj kemi një kohë të caktuar për vizitën…por me thënë të drejtën po rezulton e mundimshme.” shprehet dikush.

Problematika në fjalë u ndje veçanërisht gjatë kësaj vere, ku për shkak të valës së të nxehtit, turistët iu drejtuan muzeve të freskët. Edhe një lëvizje e përkohshme e Mona Lisa- s në një tjetër sallë, për të ndihmuar në menaxhimin e fluksit të vizitorëve, ndikoi jo pak në çoroditje.

“Është më mirë se ç’e prisja. Kisha menduar një ndërtesë të vjetër, por kjo është vërtetë moderne dhe e mbushur me artefakte dhe art të hershëm. E mrekullueshme!” deklaroi një prej vizitorëve.

Kështu, kushdo që do të vijë pa rezervim, rrezikon të presë gjatë e ndoshta edhe të mos hyjë kurrë brenda. Për këtë arsye sugjerohet medoemos rezervimi për të siguruar vizitën brenda në muze./TCH