Banka e Shqipërisë: “Rritja e ekonomisë u ngadalësua”

Banka e Shqipërisë: “Rritja e ekonomisë u ngadalësua”

Analiza e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon për një ngadalësim të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit dhe një rënie të normës mesatare të inflacionit në tremujorin e dytë.

Kahu i këtyre zhvillimeve ishte i pritur nga Banka e Shqipërisë, por ngadalësimi i ritmit të rritjes rezultoi më i lartë se pritjet tona”. Kështu e nisi dje konferencën për shtyp Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Sipas Gent Sejkos, rritja e pasigurive në ambientin e brendshëm e të jashtëm ekonomik dhe shtimi e forcimi i rreziqeve të kahut të poshtëm mund të bëjnë të nevojshëm një lehtësim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. Ishin këto dy konkluzionet e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Pra, ekonomia nuk po performon siç duhet dhe banka do të ulë sërish normën e interesit. Sot është 1 për qind. Më poshtë, analiza e Guvernatorit për zhvillimet e ekonomisë.

INFLACIONI

“Inflacioni shfaqi tendenca të lehta rënieje në tremujorin e dytë. Norma mesatare e tij rezultoi 1.4%, kundrejt nivelit 1.6% të regjistruar në tremujorin paraardhës. Në këndvështrimin e kompozimit të shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të ushqimeve, një fenomen ky i pranishëm dhe në partnerët e huaj tregtarë. Në këndvështrimin e faktorëve makroekonomikë, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të artikujve të importit.

Në një horizont më afatgjatë kohor, vlerat e ulëta dhe nën objektiv të inflacionit pasqyrojnë nivelin ende të pamjaftueshëm të presioneve të brendshme inflacioniste – të diktuar nga shfrytëzimi ende jo i plotë i kapaciteteve prodhuese – dhe presionet e ulëta që vijnë nga inflacioni i importuar, të diktuara në një masë të madhe nga kursi ende i mbiçmuar i këmbimit. Banka e Shqipërisë gjykon se efekti frenues i këtyre faktorëve do të vijë gradualisht drejt shuarjes gjatë dy viteve të ardhshme”.

EKONOMIA

“Analiza e të dhënave të disponuara sugjeron se ngadalësimi i ritmit të rritjes ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve jo të favorshme klimaterike. Ky faktor ngadalësues pati një efekt negativ prej 1.6 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike të tremujorit të parë. Ndonëse jo në këtë intensitet, ndikim i këtij faktori pritet të jetë i pranishëm edhe në pjesën e mbetur të vitit. Ndonëse nuk janë favorizuar nga klima e tensionuar politike, konsumi dhe investimet private janë zgjeruar në përgjigje të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të nevojës për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe të kushteve të favorshme të financimit”.

POLITIKA MONETARE

“Politika monetare stimuluese ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku, duke nxitur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve. Normat e interesit të kredisë vijuan të mbeten pranë niveleve më të ulëta historike dhe në tremujorin e dytë, duke mundësuar përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues. Ky përmirësim vihet re si në përshpejtimin në 6.8% të ritmit të rritjes së kredisë, ashtu dhe në zgjerimin e bazës së kësaj rritjeje. Reduktimi i vazhduar i kredive me probleme, procesi i konsolidimit të sektorit bankar, si dhe trendi rritës i kërkesës, kanë krijuar premisa për një kreditim gjithnjë e më të lartë në të ardhmen”.

PARASHIKIMI

“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në afatin e mesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se pasiguritë e shtuara në ekonomi kanë shtyrë momentin kohor të kthimit të pritur të inflacionit në objektiv.

Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rreziqet e kahut të poshtëm janë shtuar në numër dhe janë rritur në probabilitet. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri dhe ku goditje të papritura në kursin e këmbimit mund ta shmangin atë më tej nga ekuilibri.

Përkeqësimi i skenarit tonë bazë apo materializimi i goditjeve të rrezikut, mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të përsërisë thirrjen e tij për vijimin e reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti kryesor i përshpejtimit të ritmit të rritjes dhe integrimit në Bashkimin Europian”.

(PANORAMA)