Protestojnë punëtorët e ANP, kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

Protestojnë punëtorët e ANP, kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

Sindikata e pavarur e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka mbajtur sot një protestë njëorëshe, ku kanë shprehur shqetësimet e tyre për padrejtësitë që sipas tyre po u bëhen nga menaxhmenti i këtij aeroporti.

Ndër kërkesat që punëtorët kanë është kompensimi dhe beneficionet e tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës Bashkim Latifi, ka thënë se prej ardhjes së turqve në krye të aeroportit të Prishtinës ka filluar shkelja e të drejtave të punëtorëve.

Po ashtu, ai thotë se qysh në vitin e parë ishte larguar nga puna kryetari i atëhershëm i sindikatës, e sipas tij kjo është bërë që të shuhet zëri sindikal.

“Prej fillimit të koncensionimit të Aeroportit të marr nga Limak-u të drejtat elementare të punëtorëve kanë shkuar drejtë një degradimi, trajektorja e zhvillimit ka shkuar drejtë shkuarjes teposhtë drejtë të mirave materiale dhe shtypjes së punëtorëve”, tha ai.

Latifi ka treguar se cilat janë kërkesat që punëtorët kërkojnë që menaxhmenti i Aeroportit t’i plotësojë, e që sipas tij janë të drejta elementare.

Po ashtu, kryesindikalisti Latifi ka përmendur disa nga padrejtësitë që sipas tij u janë bërë punëtorëve nga menaxhmenti i Aeroportit, derisa ka theksuar se ka edhe diskriminim gjinor.

Ai thotë se të gjitha këto kërkesa i kanë adresuar tek menaxhmenti qysh në mars të këtij viti, por që sipas tij kanë marrë një përgjigje se ujë, kafe dhe sheqer u japin pa kufi, ndërsa thotë se në letër u është thënë se nuk kanë të drejta të tjera.

Pas protestës së sotme, kryetari i sindikatës Bashkim Latifi, thotë se manaxhmenti ka një afat prej 10 ditësh që të përmbushë kërkesat e tyre, e në rast se nuk përmbushet do të shkojnë në greva njëorëshe e për të vazhduar me grevë gjithëditore.

Latifi bëri të ditur se pas grevës së sotme ata nuk janë ftuar nga menaxhmenti për të diskutuar për kërkesat e tyre, madje ai thotë se është e habitshme injorimi dhe heshtja e tyre.

Megjithatë, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot përmes një konference për media kanë deklaruar se kërkesat e punëtorëve janë të pabazuara dhe joligjore.