Prokuroria kërkon që ish-zyrtari i Komunës së Drenasit të dënohet

Prokuroria kërkon që ish-zyrtari i Komunës së Drenasit të dënohet

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në seancën e së enjtes, ka kërkuar që ish-zyrtari i Administratës së Kuvendit Komunal në Drenas, Xhemë Binaku, të dënohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa mbrojtësi i tij, avokati Halim Kuliqi, ka kërkuar lirim nga akuza.

Binaku po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare në Drenas dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Arian Gashi, në fjalën përfundimtare, tha se gjatë seancave gjyqësore, nga provat materiale të administruara si dhe nga dëshmia e dëshmitarëve ishte vërtetuar se i akuzuari Binaku ka kryer veprën penale me qellim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Fajësia e Binakut, sipas prokurorit, vërtetohet edhe nga dëshmia e të dëmtuarit Bardhyl Geci, i cili sipas tij, kishte deklaruar se vazhdimisht i kishte dërguar para të akuzuarit Binaku, në emër të qirasë për lokalin “F8”, deklaratë e cila sipas prokurorit, ishte konfirmuar edhe nga dëshmitari Sokol Avdija.

Sipas tij, i akuzuari Binaku në çdo fazë të procedurës kishte mohuar kryerjen e veprës penale me qellim të ikjes së përgjegjësisë penale, prandaj ai ka kërkuar nga gjykata që Binaku të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Për dallim nga prokurori Gashi, mbrojtësi i të akuzuarit Binaku, avokati Halim Kuliqi ka kërkuar nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Sipas avokatit, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk janë vërtetuar provat dhe faktet, për të cilat prokuroria, pretendon se ishin të bazuara.

Ai tha se dëshmitari Blerim Sinani kishte deklaruar se nuk kishte pasur njohuri që qiranë nga qiradhënësi BardhylGeci, i cili ishte dashur t’ia paguajë të akuzuarit Binaku.

“Nuk duhet t’i falet besimi as deklaratës së të dëmtuarit Geci, i cili në seancën e 5 prillit 2019, kishte filluar të deklarojë të vërtetën, mirëpo për shkaqe te panjohura, për dyshime se dikush i kishte treguar se deklarata që e kishte dhënë me herët do të merret se provë dhe se ndërrimi i deklaratës apo dhënia e deklaratës se rreme paraqet vepër penale, kishte ndërruar këtë deklaratë”, ka thënë ai.

Ndërsa, i akuzuari Binaku, në fjalën përfundimtare, ka thënë se ky proces gjyqësor e kishte dëmtuar atë.

“Kjo çështje për mua ka qenë një katastrofë, cenim i personalitetit dhe karakterit tim, unë për tri mandate kam ushtruar pozitën e kryesuesit të kolegjiumit profesional të drejtorëve të administratës komunale në asociacionin e komunave të Kosovës deri në pension, ndërsa kryeshef i komunës së Drenasit për gjashtë muaj, kërkoj të lirohen nga akuza, sepse nuk e ndjej vetëm aspak fajtor”, ka thënë i akuzuari Binaku.

Ndryshe, gjatë dhënies së mbrojtjes në seancën e 26 korrikut, i akuzuari Binaku kishte deklaruar se i dëmtuari Geci kishte tentuar t’i bëj zhvatje, në mënyrë që ta marrë lokalin në Qendrën Tregtare në Drenas.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të behet më 14 gusht 2019, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Xhemë Binaku, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, i akuzuari Binaku nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi