Mungon i padituri, shtyhet seanca në rastin ku KEDS-i kërkon kompensim

Mungon i padituri, shtyhet seanca në rastin ku KEDS-i kërkon kompensim

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, është shtyrë seanca e shqyrtimit përgatitor në çështjen kontestimore, në rastin ku KEDS-i e ka paditur Naser Imerin për kompensimin e dëmit material.

Si shkak i kësaj shtyrje ka qenë mungesa e të paditurit Imeri, e për të cilin gjykatësi i çështjes Izet Gërguri ka bërë të ditur se në fletëkthesën e 22 korrikut 2019, është konstatuar se pala nuk gjendet në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, prezentë në këtë seancë ka qenë përfaqësuesja e të paditurës LumutrijeVitaku, e cila është deklaruar se mbesin akoma pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke i propozuar gjykatës që seanca të shtyhet dhe të provohet përsëri të ftohet i padituri.

Andaj, gjykatësi Gërguri e ka shtyrë seancën më 2 shtator 2019, në ora 10:00, ku siç ka thënë ai, përfaqësuesit së paditëses ftesa i shërben në vend të thirrjes, ndërsa, i padituri Imeri, do të ftohet me ftesë të rregullt, e të cilit po ashtu do t’i dërgohet edhe procesverbali i seancës.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 15 dhjetor 2016, Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka paditur Naser Imerin, nga i cili kërkon kompensim të dëmit material, në shumë prej 122,43 euro.

Bazuar në padi, i padituri prej datës së pavërtetuar deri më 16 dhjetor 2014, në shtëpinë e tij me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ashtu që thuhet se ka keqpërdorur energjinë elektrike dhe është furnizuar jashtë pikës matëse, me çka i ka shkaktuar dëm KEDS-it në shumë prej 122,43 euro.

Siç thuhet në padi, sipas aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, paditësja ishte udhëzuar në kontest civil për dëmin e shkaktuar.

Me këtë padi, KEDS-i ka kërkuar që të aprovohet në tërësi padia dhe kërkesëpadia dhe që i padituri të obligohet në kompensimin e dëmit material. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi