Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” mbyllet me koncert në amfiteatër

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” mbyllet me koncert në amfiteatër

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike 2019” përfundoi edicionin e nëntë në qytetin e Durrësit. Për disa net me radhë për publikun artistët përcollën një program të pasur muzikor. Nata e fundit e bienales u zhvillua në amfiteatrin e Durrësit, duke mbledhur artdashësit. Bienalja e këtij viti me drejtues artistik violinistin e njohur Florian Vlashi dhe drejtor të përgjithshëm kompozitorin Haig Zacharian u përcoll me interesin e publikut për disa net me radhë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako, në përfundim të edicionit të nëntë të kësaj bienaleje shprehet se ishte një natë magjike mbrëmja e fundit në amfiteatër. “Është mbyllur në një natë magjike edicioni i IX i bienales “Netët e Muzikës Klasike 2019” ku organizatori i eventit, violinisti i njohur Florian Vlashi, kishte zgjedhur temën e këtij viti “Muzika dhe vena, një harmoni e përkryer”. Qytetarë durrsakë, por edhe turistë të shumtë kanë ndjekur koncertin përmbyllës në arenën e amfiteatrit. Sukses i merituar i kësaj bienale që zgjati për një javë dhe solli në Durrës tingujt klasikë të kompozitorëve më të mëdhenj botërorë nën interpretimin e instrumentistëve të njohur vendas e të huaj, si dhe të sopranos me famë botërore Inva Mula. Durrësi qytet i kulturës dhe i artit”, shprehet Sako.

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike”, që është krijuar në Durrës në vitin 2003, është një shëtitje muzikore në të gjitha epokat e historisë së muzikës. Këtë vit me bienalen që shënoi edicionin e nëntë, për disa net në qytetin e Durrësit nuk mungoi krijimtaria muzikore e vjetër, por edhe e re. Në bienale janë disa net të dedikuara një tematike dhe një periudhe muzikore: nata e muzikës baroke, klasike, romantike, moderne, shqiptare, konkursi yjet e rinj, etj. Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, disa prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri. Në materialin e këtij aktiviteti thuhet mes të tjerave se për çdo edicion porositet një vepër premierë, ndërsa fituesi i konkursit të të rinjve ftohet nga “Grupo Instrumental Siglo XX” për koncerte në Spanjë. Po ashtu edhe grupi luan rregullisht në bienale, kështu është krijuar një “urë tingujsh” ndërmjet të dy vendeve. Për organizatorët, projekti i bienales së Durrësit është një projekt “familjar”, intim. “Mblidhemi ndërmjet miqsh për të bërë muzikë bashkë e për të luajtur për një publik, ku njihemi të gjithë. Në fund të fundit, kjo është esenca e muzikës së dhomës. Mbi këtë natyrshmëri është ngritur edhe ngrehina e bienales”, thuhet për këtë aktivitet.