Stilimi i axhendës shqiptare në xhunglën lobuese të Uashingtonit

Stilimi i axhendës shqiptare në xhunglën lobuese të Uashingtonit

Politika e jashtme amerikane është në procesin e një ndryshimi thelbësor që përkon sa me rikonceptualizimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në botë dhe transformimin e sistemit global, aq edhe me ndryshimin e brezave të politikëbërësve amerikanë.

Shqipëria, si një vend që e ka orientuar politikën e jashtme në mënyrë të pashmangshme drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës, ka nevojë të rikalibrojë rolin dhe rëndësinë specifike në raport me politikën amerikane.

Ndërkohë që politika zyrtare vazhdon të pasqyrojë brishtësinë që e ka karakterizuar historikisht shtetin shqiptar, komuniteti shqiptar në Amerikë ka mundësinë dhe përgjegjësinë historike për të luajtur një rol primar në këtë moment vendimtar.

Nevojën për energjizimin e aktivizmit politik shqiptar në SHBA e theksoi përpara pak muajsh në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Mark Gjonaj, anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Nju Jorkut. Zoti Gjonaj theksoi domosdoshmërinë për një lobim më të strukturuar dhe të organizuar në Uashington. Ai përmendi një sërë nismash agresive të fqinjëve tanë, kryesisht të serbëve në lidhje me çështjen e Kosovës, si situata që kërkojnë reaktivitet të diasporës shqiptare.

Teksa ka një tis paqartësie të provokuar nga politika zyrtare shqiptare në lidhje me këtë çështje dhe teksa përplasjet e fraksioneve të ndryshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë pështjellojnë në mënyrë ciklike partnerët ndërkombëtarë, nevoja për një diasporë të pranishme dhe të koordinuar politikisht është më e madhe se asnjëherë tjetër përgjatë dekadës së fundit.

Kongresi amerikan, në të dy dhomat, doli me mjaft fytyra të reja  nga zgjedhjet e vitit 2018 dhe do të ketë edhe më shumë teksa iu afrohemi zgjedhjeve të vitit 2020. Të zgjedhurit e rinj kanë, në të shumtën e rasteve, njohuri të kufizuara për Ballkanin dhe për historinë e rajonit. Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e mbështetësve të Shqipërisë dhe Kosovës po shkojnë pashmangshmërisht drejt largimit nga politika aktive, sa për hir të tërheqjeve për arsye fiziologjike, aq edhe për shkak të sfidave brenda-partiake që vijnë kryesisht nga aktivistët e rinj dhe mbështetësit e axhendave më të ngurta, si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta.

Shembull konkret në këtë pikë është sfida në primaret demokrate ndaj kongresmenit Eliot Engel, një mbështetësi të jashtëzakonshëm të çështjes shqiptare. Deri tani janë dy kandidatura të shpallura nga aktivistët progresivë që synojnë t’i zënë vendin kongresmenit Engel dhe gjasat janë që ata të jenë krejt të painformuar për realitetin ballkanik. Duke çmuar shumë lidhjet e vjetra, në këto ndryshime brezash duhet syçeltësi dhe aftësi për të vendosur ura komunikimi me përfaqësuesit e brezave të rinj që do dominojnë skenën politike amerikane në dekadat e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, shqiptarët në Amerikë duhet ta përvetësojnë dhe aftësinë strategjike për të krijuar koalicione të qëndrueshme në kohë. Një shembull që vlen për t’u përmendur është angazhimi i përfaqësuesve të komunitetit greko-amerikan. Ky i fundit ka një sukses në lobimin dhe arritjen e investimit amerikan në platformën 3+1 në Mesdhe –  një platformë që përkon me mbështetjen amerikane dhe investimin e drejtpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve tripalëshe ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Izraelit. Komuniteti greko-amerikan tregon një model të suksesshëm për koordinimin dhe avancimin e interesave nëpërmjet krijimit të koalicioneve, si në rastin në fjalë me komunitetin hebre në Amerikë. Kundrejt ndryshimeve globale, duhet parë në mënyrë të kujdesshme për të nxjerrë leksione të çmuara nga aktiviteti i diasporës së vendeve fqinje, të cilat kanë arritur të kenë impakt të prekshëm dhe konstruktiv për vendet e tyre.

Së fundmi, nevojitet një largpamësi dhe një strategji e qartë në promovimin e interesave shqiptare. Argumenti i thjeshtë se SHBA duhet ta mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët nisur nga orientimi ynë pro-amerikan është i pamjaftueshëm. Mbi të gjitha nisur nga konteksti ku në SHBA po shtohen zërat izolacionistë dhe që e shikojnë të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të tërhequr nga angazhimi global. Komuniteti shqiptar në Amerikë ka të gjitha mundësitë dhe aftësinë të stilojë një axhendë argumentuese për bashkërendimin e interesave amerikane në Ballkan dhe në Mesdhe me rolin e shqiptarëve dhe shteteve shqiptare në avancimin e këtyre interesave.

Uashingtoni sot është shndërruar në një xhungël lobimi. Kapaciteti i limituar ekonomik dhe mungesa e një lobi të strukturuar shqiptar është një mangësi e madhe për aktivitetin e komunitetit shqiptar në Amerikë. Modelet e suksesshme ekzistojnë në almanakun e shqiptaro-amerikanëve, si në gjenezën dhe kontributin thelbësor në krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar një shekull më parë, ashtu edhe në mobilizimin dhe krijimin e mbështetjes së gjerë për kauzën e Kosovës në vitet 90’. Janë modele të suksesshme të cilat janë bazuar në mbështetje mbipartiake në politikën amerikane. Janë modele të cilat vlejnë të përsëriten dhe përmirësohen. Nismat sporadike dhe individuale vlejnë, por nuk kanë të njëjtin impakt me nisma të organizuara dhe konsistente.

Influencimi dhe lobimi për hir të çështjes dhe interesave shqiptare nuk mund të bëhet thjesht në situata ekzistenciale. Teksa bota dhe sistemi ndërkombëtar po ravijëzohet në një sistem kompetitiv ndërmjet fuqive të mëdha, orientimi i patjetërsueshëm shqiptar drejt Europës dhe Shteteve të Bashkuara e bën të domosdoshëm një rikonceptim të ri të marrëdhënieve me politikëbërësit dhe politikëzbatuesit amerikanë.

Nga Akri Çipa