Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për sulm ndaj shoferit të autobusit

Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për sulm ndaj shoferit të autobusit

Mungesa e të akuzuarit Granit Krasniqi, ka bërë që të dështojë seanca ndaj tij dhe të akuzuarit tjetër, Hekuran Krasniqi, e paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Granit Krasniqi dhe Hekuran Krasniqi po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 27 korrik 2017, në stacionin e autobusëve në rrugën “Agim Ramadani”, e kanë sulmuar fizikisht shoferin e autobusit të kompanisë tjetër, Bashkim Imeri, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth orarit të autobusëve për linjën 7 dhe 7A.

Gjykatësja e rastit, Sulltane Hoti, ka deklaruar se i akuzuari Granit Krasniqi, ishte ftuar në mënyrë të rregullt, si dhe ishte kontaktuar përmes telefonit, i cili sipas saj, e  kishte njoftuar atë se nuk mund të ishte prezent në këtë seancë.

“Mungon Granit Krasniqi, i cili është kontaktuar edhe përmes telefonit, mirëpo i njëjti e ka njoftu gjykatën se nuk mund të merr pjesë në këtë shqyrtim gjyqësor, sepse ka punë tjera”, ka thënë gjykatësja Hoti.

Gjithashtu, në seancën e së premtes ka munguar edhe dëshmitari Ismajl Prapashtica, për të cilin gjykatësja Hoti, ka thënë se ka prova që është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, kanë prezantuar prokurorja Hava Krasniqi, i akuzuari Hekuran Krasniqi, i dëmtuari Bashkim Kameri, si dhe dëshmitari tjetër Adem Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij gjykimi, gjykatësja Hoti e ka shtyrë seancën për 13 shtator 2019, në orën 9:15.

Sipas gjykatëses Hoti, ndaj të akuzuarit Krasniqi do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim përmes policisë, ndërsa dëshmitari Prapashtica do të ftohet me ftesë të rregullt.

Ndryshe, të akuzuarit Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 19 mars të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 tetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë,  Granit Krasniqi dhe Hekuran Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par.1 pika 4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se më 27 korrik 2017, në stacionin e autobusëve në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, të akuzuarit për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me orarin e autobusëve të linjës 7 dhe 7A, që kanë pasur me tani të dëmtuarin Bashkim Kameri, në bashkëkryerje e me dashje që t’i shkaktojnë lëndime trupore e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit e kanë goditur të dëmtuarin me grushte në kokë dhe në fytyrë, i cili në atë moment ka qenë i ulur si shofer i autobusit të tij, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar lëndime të lehtatrupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin. /BetimipërDrejtësi