Një i vrarë, një i plagosur e pesë të arrestuar, gjatë grabitjes në Shtime

Një i vrarë, një i plagosur e pesë të arrestuar, gjatë grabitjes në Shtime

Policia ka arritur të veprojë shpejtë pas grabitjes tragjike në Shtime.

F.G nga Prishtina, i dyshuar për grabitjen, njëherit edhe viktimë e rastit, ishte personi që pësoi nga vjedhja që nuk shkoi siç e kishte planifikuar ai me tre persona të tjerë.

Ai u rrah për vdekje nga pronarët e shtëpisë, 300 metra larg nga vendi ku kishte ndodhur vjedhja.

Tre të tjerët ikën nga vendi i ngjarjes, mirëpo Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë që të tre.

Arrestimin e personit të tretë e ka konfirmuar Mehmetali Hajdini nga Policia e Ferizajt.

Hajdini ka bërë të ditur se i njëjti është arrestuar në Prishtinë teksa është sjellur për intervistim në Ferizaj.

Policia e Kosovës paraprakisht kishte arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se ndërlidhen me rastin.

Në media është raportuar se dy të arrestuar janë vëllezër mes vete.

I gjithë bilanci i kësaj grabitje është vrasja e një personi, plagosja e një tjetri si dhe pesë arrestime.

Avokati, Asdren Hoxha ka tërhequr vëmendjen se pronarët e shtëpisë mund të akuzohen nga Prokuroria për vrasje.

Sipas tij, në momentin e vrasjes, ka pushuar sulmi dhe nuk kemi të bëjmë me vetëmbrojtje.

Prokuroria ndaj dy pronarëve të shtëpisë ka kërkuar paraburgim.

Sipas versionit të saj, të dyshuarit e kishin ndjekur viktimën për 300 metra, teksa më pas e kishin rrahur e goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në bashkëkryerje ata sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 32 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.