Përshkallëzohet situata në Hong Kong

Përshkallëzohet situata në Hong Kong

Policia e Hong Kongut është përplasur edhe një herë me protestuesit anti-qeveritar, përderisa vendi hyn në javën e 10-të të demonstratave masive dhe trazirave.

Policia hodhi gaz lotsjellës në të gjithë Hong Kongun, duke përfshirë një stacion hekurudhor të mbyllur.

Në rrethin Wan Chai, bomba benzine dhe tulla u hodhën mbi policinë nga ana e protestuesve.

Një numër protestuesish, përfshirë një polic, u plagosën gjatë përleshjeve.

Policia gjithashtu u filmua duke shkrepur plumba gome në një distancë të afërt brenda një stacioni të metrosë, ndërsa oficerët e tjerë u panë duke rrahur njerëz me shkopinj në shkallët lëvizëse.

Pse po protestohet në Hong Kong?

Hong Hongu është përfshirë nga trazirat dhe dhuna tash e dy muaj. Protestat nisën për të kundërshtuar një projektligj që lejonte ekstradimin e banorëve të Hong Kongut në Kinë.

Kritikët thanë se kjo do të dëmtonte liritë ligjore të Hong Kongut dhe mund të përdoret për të heshtur kritikët.

Edhe pse qeveria tani e ka pezulluar projektligjin, i cili do të lejonte ekstradimet në territorin e Kinës, demonstruesit duan që ai të tërhiqet plotësisht.

Kërkesat e tyre janë zgjeruar, duke përfshirë thirrjet për më shumë demokraci, dhe dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam.

Pse situata në Hong Kong po cenon raportet Kinë-SHBA?

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shkëmbyer fyerje ndaj njëra-tjetrës, për shkak të situatës në Hong Kong.

SHBA-ja e quajti Kinën një "regjim të dhunshëm" pasi një gazetë shtetërore kineze, publikoi emrin dhe foton e një diplomati amerikan, duke folur me aktivistët në Hong Kong.

Kina i ka hedhur poshtë sulmet si "logjikë të bandave" dhe e ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në për ndërhyrje në Hong Kong.

Cili është statusi i Hong Kongut?

Hong Kongu është pjesë e Kinës, por qytetarët e saj kanë më shumë autonomi sesa ata në pjesën tjetër të Kinës.

Pekini është shumë i ndjeshëm në lidhje me statusin e Hong Kongut dhe me çdo thirrje për më shumë autonomi nga Kina.

Ish-kolonia britanike është kthyer Kinës në vitin 1997 me kusht që të mbajë "një shkallë të lartë të autonomisë" për 50 vjet.