Argjentinë, kandidati i opozitës udhëheq në zgjedhjet parësore

Argjentinë, kandidati i opozitës udhëheq në zgjedhjet parësore

Zgjedhjet e mbajtura parësore kanë për qëllim të ngushtojnë listën e kandidatëve dhe të përcaktojnë kandidatët për partitë politike në zgjedhjet e përgjithshme.

Lideri i opozitës në Argjentinë, Alberto Fernandez, ka fituar në “zgjedhjet parësore” të mbajtura ditën e djeshme, duke siguruar 47,37 për qind të votave.

Mediat lokale raportojnë se presidenti Mauricio Macri ka grumbulluar vetëm 32,30 për qind të votave.

Zgjedhjet e përgjithshme në Argjentinë do të mbahen më 27 tetor, ku do të zgjidhet presidenti, anëtarët e kongresit kombëtar dhe qeveritarët e shumicës së provincave.

Rreth 33 milionë argjentinasë kanë të drejtë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, të cilët do të shkojnë në balotazhin e dhjetorit nëse në raundin e parë në tetor asnjë prej kandidatëve presidencialë nuk fiton së paku 45 për qind të votave.

Zgjedhjet e mbajtura parësore kanë për qëllim të ngushtojnë listën e kandidatëve dhe të përcaktojnë kandidatët për partitë politike në zgjedhjet e përgjithshme.

Ato në mënyrë efektive shërbejnë si zgjedhje të opinionit parazgjedhor mbarëkombëtar.

Nëse rezultati i zgjedhjeve të djeshme përsëritet në zgjedhjet presidenciale, Fernandez pa kaluar në raundin e dytë do të jetë presidenti i ri i këtij vendi të Amerikës së Jugut.

“Ne nuk kemi ardhur për të rikthyer një regjim. Kemi ardhur për t’i dhënë Argjentinës një horizont më të mirë. Ne do të rregullojmë atë që kanë prishur të tjerët”, tha Fernandez.

Duke konfirmuar se koalicioni i qeverisë “Juntos por el Cambio” (Bashkë për ndryshim) kaloi “një ditë të keqe”, presidenti Macri u bëri thirrje mbështetësve të tij që nga nesër të dyfishojnë përpjekjet për të fituar mbështetjen e nevojshme për të fituar zgjedhjet e tetorit.