Fëmijët me nevoja të veqanta mund mos jenë pjesë e procesit mësimor

Fëmijët me nevoja të veqanta mund mos jenë pjesë e procesit mësimor

Sipas një raporti të UNICEF-it, rreth 38 mijë fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë pritet nga një shtatori i këtij viti të mos jenë pjesë e procesit mësimor. Me këtë gjendje shumë shqetësuese po përballën shumë familje në vend, të cilët në mungesë të kushteve detyrohen të mos i dërgojnë fëmijët e tyre për të ndjekur shkollimin e rregullt. Zyrtarë të

Ministrisë së Arsimit theksuan se për zbutjen e kësaj situate së shpejti do të angazhohen rreth 100 asistentë që do të punojnë me këta fëmije.

Shumë prindër në Kosovë po përballën me vështirësi për dërgimin e fëmijëve të tyre me nevoja të veçanta për të ndjekur procesin mësimor.

Naxhie Dragusha, nga Prishtina, nënë e dy vajzave me nevoja të veçanta, Fationës, 14 vjeçare, dhe Jonës, 7 vjeçare, tha për Radio Kosovën se e ka shumë të vështirë që t’i dërgojë në institucione edukative. Nëse nuk do të gjejë mbështetje nga institucionet, Jonën, 7 vjeçare, e ka të pamundur çdo ditë ta dërgojë me karrocë në shkollë dhe të qëndroje bashkë me të gjatë orarit mësimor, theksoi Dragusha.

 “ Shumë vështirë është. Transportin detyrohemi ta bëjmë vetë. Të ardhura s’kemi. Krejt po duhet t’i kryejmë me pensionet e vajzave që janë në karrocë. Mandej ku janë barnat e krejt nevojat që i kanë, s’di çka ka ma vështirë. Vajzën e vogël tash s’kam mundësi ta dërgoj në shkollë, s’ka mësuese mbështetëse, unë s’kam mundësi ta çoj dhe të qëndroj me të, sepse e kam çiken tjetër në karrocë në shtëpi. Përveç në “Handikos” që i dërgoj tjetër kund s’kam mundësi, se nuk kam ndihmë prej askujt. E nëse nuk kam ndihmë prej ndokujt edhe ndonjë ditë as këtu në “Handikos” nuk të kem mundësi m’i pru.”

Po ashtu, drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, tha për Radio Kosovën se fëmijët me nevoja të veçanta     dhe familjet e tyre përballen me një varg problemesh të cilat ua pamundësojnë shkollimin.

“ Janë shumë çështje problematike që përballen fëmijët me nevoja të veçanta si: qasja nëpër shkolla, mbështetja financiare e familjeve, mungesa e asistentëve nëpër shkolla, pajisjet ndihmesë të përshtatshme për fëmijë, mungesa e mbështetjes, e çështjeve shëndetësore për këta fëmije, rehabilitimi i fëmijëve, mungesa e kujdestarëve personalë, mungesa e transportit. Është një zinxhir I problemeve që e pamundësojnë vijimin e shkollimit për këta fëmijë.”

E në lidhje me këtë, udhëheqësja e Divizionit për arsimin e fëmijëve  nevoja të veçanta në Ministrinë e Arsimit, Lulavere Behluli, tha për Radio Kosovën se 100 asistentë që do të angazhohen nga janari i vitit të ardhshëm do të punojnë me nxënësit me nevoja të veçanta, të cilët do të kenë rol të rëndësishëm në menaxhimin e sjelljeve të nxënësve të kësaj kategorie dhe akomodimin e tyre në klasë.

“Roli i asistentit në mënyrë parësore në fokus e ka nxënësin me nevoja të veçanta. Mirëpo, ka për qëllim të punojë me të gjithë klasën, në mënyrë që të mos veçohet nxënësi. Pra, nuk është ideja që të punësohen asistentët dhe t’i ndajmë nxënësit nga klasa, por ideja është si të integrohet nxënësi brenda në klasë. Pra, do të punojë me gjithë grupin me fokus fëmijën me nevoja të veçanta.”

Bazuar në Ligjin për arsim parauniversitar, çdo fëmije me nevoja të veçanta, duhet t’i mundësohet qasja dhe përfshirja në edukim të rregullt. Muaj me parë në një konferencë u prezantua Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijës, të organizuar nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, ku rezulton se vetëm dhjetë për qind e fëmijëve me aftësi të veçanta në Kosovë marrin shërbime arsimore, shëndetësore dhe sociale.

Autor: Ardiana Hajzeri