Tomor Morina nuk do të ekstradohet në Serbi

Tomor Morina nuk do të ekstradohet në Serbi

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatën Penale Shkup se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi.

“Në përputhje me përcaktimet e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtare në materien penale dhe Konventës Evropiane për ekstradim…Këshilli Penal ka gjetur se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme duhet t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë e cila edhe përgatit vendimin final për refuzimin e kërkesës së palës serbe për ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Arrestimi i tij ka shkaktuar reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.