Bob Dylan

Bob Dylan

Charles Bukowski

Këta dy të rinj

në oborrin përballë meje

i lëshojnë pllakat e

Bob Dylanit në stereon e tyre

gjithë ditën e lume dhe gjithë natën e lume

 

ata ia lëshojnë zërin

deri në kupë të qiellit

dhe përnjëmend është stereo

i mirë

 

krejt lagjja

e dëgjon Bob Dylanin

falas

 

ndërsa unë e dëgjoj më së liri dhe më së miri

sepse jetoj në oborrin

përballë tyre

 

e dëgjoj Dylanin kur dhjes

e dëgjoj Dylanin kur shkërdhej

dhe bash atëherë kur dua t’ia fus

gjumë

 

ngandonjëherë i shoh ata

jashtë në trotuar

goxha të rinj dhe të këndshëm

teksa dalin për ushqim dhe

për letër higjienike

 

ata janë një nga çiftet

më të dashura

në lagje.

 

3 dhjetor 1975



DEMOKRACIA

problem, natyrisht, nuk është sistemi demokratik,

por pjesët

e gjalla që e përbëjnë sistemin demokratik.

Personin e parë që e hasni në rrugë,

shumëzojeni

filanin a

filanen me

3 ose 4 a me 30 ose 40 milionë

dhe aty për aty do ta

dini

përse gjërat mbesin jofunksionale

për shumicën prej

nesh.

 

Do të doja të kem ilaç për gurët e shahut që

ne e quajmë njerëzim…

 

ne kemi përballuar një numër ilaçesh

politike

 

dhe të gjithë po mbesin

boll të hajvantë për të shpresuar

se ky që e kemi

TASH

do të shërojë pothuajse

çdo gjë.

 

Bashkëqytetarë,

sistemi demokratik kurrë nuk ka qenë

problem, problem jeni

ju.

 

(Përktheu Fadil Bajraj. Marrë nga numri i gjashtë i revistës “Akademia”)