Arrihet marrëveshja Shqipëri-Itali për konvertim të lejeve të drejtimit

Arrihet marrëveshja Shqipëri-Itali për konvertim të lejeve të drejtimit

Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Evropë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka treguar se është arritur marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit të shqiptarëve në Itali.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

“Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit”.

Cakaj ka thënë se Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane.

“Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende”.

“Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”.