Shkupi dhe Sofja intensifikojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Shkupi dhe Sofja intensifikojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Shefi i shtatmadhorisë së Forcave të armatosura të Republikës së Bullgarisë, gjeneral Andrej Bocev, i cili po qëndron në vend, sot i vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatmadhorinë e Armatës.

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, gjenerali Bocev pati takim me nikoqirin e tij, shefin e SHM-së, Vasko Gjurçinovski, pas çka u takua edhe me zëvendësen e kryetarit të Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska

Siç njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes, në bisedimet me ministren Sheqerinska, u bë fjalë për thellimin e bashkëpunimit në trajnimin e forcave mjekësore, logjistikës, komunikimit, marrëdhënieve me opinionin dhe trajnimin e pilotëve.

Gjeneralët Gjurçinovski dhe Bocev gjatë takimit biseduan për bashkëpunim të ndërsjellë ushtarak i cili është në ngritje të vazhdueshme, veçanërisht në kryerjen e trajnimit të përbashkët midis bashkësive të policisë ushtarake dhe njësive speciale dhe pjesëmarrjes së përbashkët në stërvitje.

Gjatë takimit, delegacioni i forcave të armatosura të Republikës së Bullgarisë u njoftua me procesin e transformimit të Armatës, pjesëmarrjen në operacionet paqësore dhe kontributin në përballjen me krizën e emigrantëve, shfrytëzimin e kapaciteteve në poligonin e armatës Krivollak për aktivitete stërvitore, ndërsa është biseduar edhe për mundësitë dhe format e bashkëpunimit të mëtutjeshëm midis dy armatave.

Shefi i SHM-së së FA-së të Republikës së Bullgarisë, gjatë vizitës, do të ketë takim edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovskin, ndërsa do t’i vizitojë regjimentin për operacione speciale dhe qendrën ushtarake mjekësore ku do të njoftohet me misionin dhe detyrat e tyre.

Delegacioni i lartë ushtarak gjatë qëndrimit treditor do të ketë mundësi të vizitojë edhe një pjesë të monumenteve kulturore-historike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa të dielën do të kontribuojë në solemnitetin qendror me rastin e shënimit të Ditës së Armatës në qendrën për trajnim në ujë në Ohër.

Bashkëpunimi i armatave të dy vendeve në vitin vijues ka rreth tridhjetë aktivitete të përbashkëta ushtarake nga të cilat një pjesë janë në shtetin tonë, ndërsa një pjesë në Republikën e Bullgarisë.