Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku

Gazetaria shqiptare në zi. Ndërron jetë gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku një prej emrave të shquar të gazetarisë postkomuniste në Shqipëri.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Baxhakut 55 vjeç, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale.

Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e të premtes duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.

Një penë brilante në reportazh bërjen e më pas në realizimin e shumë dokumentarëve Fatos Baxhaku la gjumë si një kritik i fortë i tranzicionit shqiptar.

Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”.

Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb).si edhe i shumë dokumentareve televizive.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qene anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE..

Botime

Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens – Wien 1996. (Bashkëautor Karl Kaser).Gur – 2008 Në Mirditë & rreth e rrotull – 2009

Roje – 2010

Çadra e kuqe : histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI – 2013 Gra të përgjithshme – 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo)

Top Channel