Punëtorët e Aeroportit të hënën në grevë

Punëtorët e Aeroportit të hënën në grevë

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, afërsisht qe shtatë muaj janë duke kërkuar të drejtat e tyre të cilat i quajnë legjitime, por menaxhmenti thotë se ato janë kërkesa joligjore.

Pesë kërkesat e tyre kyçe të punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet  për rrezikshmërinë, të eliminohen dallimet në pagesë në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, Bashkim Latifi ka thënë për KosovaPress, se menaxhmenti i Aeroportit nuk po dëshiron që të diskutojë me punëtorët në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Ai tha se nëse nuk reflekton udhëheqësi e tyre karshi pesë kërkesave të punëtorëve do ketë greva.

Latifi ka theksuar se greva e paralajmëruar nuk do shkaktojnë telashe në mbarëvajtjen e punës.

Në anën tjetër menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës” Adem Jashari”, kërkesat e punëtorëve të tyre i ka konsideruar si joligjore.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara i ka siguruar të gjithë udhëtarët se të gjitha fluturimet do të bëhen me kohë gjatë ditëve kur punëtorët kanë paralajmëruar grevë.

E lidhur me këtë qëndrim të menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kryetari i Sindikatës së Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi thotë se ata nuk janë kompetent ta komentojnë ligjin dhe se presin reflektim nga menaxhmenti.

Kujtojmë që më datën 8 gusht të këtij viti punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mbajtur grevë një orëshe me qëllim të merren parasysh kërkesat e tyre.