Khedira: Jam i duhuri për Sarrin

Khedira: Jam i duhuri për Sarrin

Fillimisht ishte një nga emrat e parë të listës me futbollistët që duhet të linin Juventusin këtë verë, por me kalimin e ditëve Sami Khedira arriti t’i tregojë Maurizio Sarrit se disponon cilësitë e duhura për të luajtur në skemat e tij.

Tashmë trajneri i ri i bardhezinjve ka hequr gjermanin nga merkatoja, duke treguar se beson fort te ai, ndërsa vetë Khedira në një intervistë pranoi se nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga klubi i Juventusit.

“Vitin që lamë pas nuk pata fat me dëmtimet dhe bëra operacionin në zemër, ndaj në fund të sezonit më pyetën nëse kisha ende stimuj për të luajtur në të tilla nivele. Nuk e kam menduar asnjëherë largimin nga Juve, pasi më pëlqen futbolli i Sarrit dhe e di që kam cilësitë e duhura për të luajtur”, tha Khedira.

Mesfushori pranon se bardhezinjtë janë forcuar shumë gjatë merkatos së verës, por nuk trembet nga konkurrenca dhe i ka vendosur vetes si objektiva, të luajë 80% të ndeshjeve sezonale dhe të meritojë rikthimin në kombëtaren gjermane.

“Dua të jem gjithmonë në 11-shen titullare dhe të luaj në nivele të larta, pasi në të kundërt do të kisha dalë në pension. Konkurrenca është e madhe dhe ndeshjet brenda familjes te Juve, ngjajnë si ndeshje Championsi, por unë dua që të luaj 80 % të takimeve sezonale e të fitoj të tre trofetë me bardhezinjtë. Gjithashtu dua të tregoj një formë mjaft të mirë dhe të shpresoj që Low do të më ftojë sërish në kombëtaren gjermane”, deklaroi mesfushori.