Gjilani fillon programin e financuar nga qeveria britanike

Gjilani fillon programin e financuar nga qeveria britanike

Në Komunën e Gjilanit është mbajtur takim i përbashkët i Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe përfaqësuesit e programit “British Council” me drejtorët e shkollave për të filluar implementimin e programit për “Shkollat e shekullit 21”, që parasheh zhvillimin e mendimit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin në programe të ndryshme kompjuterike.

Në fjalën e tij, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, bashkë më koordinatoren e programit “Shkollat e shekullit 21” të “British Council”, Edona Begu, në takim me drejtorët kanë thënë se ky është parapërgatitje për të filluar impenentimin e projektit “Shkollat e shekullit 21”. “Është program edukativ ambicioz i dizajnuar nga British Council e financuar nga Qeveria e Britanisë i cili do të finalizohet brenda tri viteve. Ky program u ofron nxënësve të Komunës së Gjilanit shkathtësi në mendim kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodim si dhe nxënësit do të kenë mundësinë të praktikojnë shkathtësitë në programim kompjuterik”, është thënë në njoftimin e komunës së Gjilanit.

Në kuadër të këtij programi shkollat e komunës së Gjilanit do të pajisen me 790 microbit – kompjuter të xhepit me anë të të cilave nxënësit do të mund të programojnë në lëndë të ndryshme mësimore që të zgjidhin problemet e përditshme. Pjesë e programit në fjalë do të jenë edhe 123 mësimdhënës dhe të gjithë drejtorët e shkollave të komunës së Gjilanit.