Rugova: LDK-së s`i jep ultimatum askush, jemi partia më e madhe

Rugova: LDK-së s`i jep ultimatum askush, jemi partia më e madhe

Javëve të fundit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është takuar me të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të diskutuar rreth mundësisë së një koalicioni parazgjedhor, mirëpo ende nuk është arritur një marrëveshje pasi që dy partitë nuk po heqin dorë nga posti i kryeministrit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha mbrëmë se do presin një përgjigje përfundimtare nga LDK-ja deri më datën 23 gusht, eventualisht dy deri në tri ditë pas kësaj date.

“Pas 23 gushtit ne nuk e presim më shumë LDK-në, ndoshta vetëm edhe nja dy-tri ditë tjera. Kush do me u bashku është mirë, kush jo, ne nuk kemi kohë për të humbur”, deklaroi Konjufca.

Mirëpo, në LDK thonë se nuk pranojnë një ultimatum të tillë.

Deputeti i kësaj partie, Naser Rugova i ka thënë lajmi.net se në këto 30 vitet e fundit askush nuk i jep ultimatum LDK-së.

“LDK-së këto 30 vitet e fundit nuk i jep ultimatum askush, jemi partia më e madhe në Kosovë jemi grupi ma i madh parlamentar dhe pas shpërbërjes së Kuvendit që e presim me datën 22, me 23 e kemi Këshillin e Përgjithshëm të partisë ku do të emërohet edhe kryesia e LDK-së, pra lidershipi i ri. Ka qenë një cikël i rregullt, dhe pas konstituimit të Kryesisë në Këshill të Përgjithshëm do të bisedohet edhe për prioritetet e LDK-së për qasjen, për metodat se si do t’i qasemi këtij procesi zgjedhor. Prandaj pas datës 22 kur do të bëhet e ditur data e zgjedhjeve, LDK-ja do të dal me qëndrimet e veta të cilat do të miratohen në Këshillin e Përgjithshëm të partisë”, ka thënë Rugova.

Sipas tij, as kryetari Mustafa, as lidershipi i ri që do të zgjidhet të premten, as anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, as kryetarët e degëve, nuk mund të flasin në vetën njëjës pa u marr një vendim i përgjithshëm i këshillit të LDK-së. Vendime për të cilat thotë ai, janë obligative për të gjithë si struktura të LDK-së.

Tutje, Rugova ka treguar se kur do të bëhet i ditur emri i kandidatit për kryeministër nga radhët e kësaj partie.

“Edhe kandidati për kryeministër pas të premtes merr një dinamik tjetër, besoj se maksimum  nga mesi i javës së ardhshme ne do ta kemi kandidatin për kryeministër”, ka përfunduar ai.

Të vetmet parti të cilat kanë bërë koalicion parazgjedhor deri më tani janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt dhe Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit.

Të gjitha partitë janë shprehur të hapura për koalicione parazgjedhore, ndërkohë lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se ka vija të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, me të cilën para dy vitesh ishte në koalicion qeverisës.