​Sulmohet me thikë një zyrtar policor në Pejë

​Sulmohet me thikë një zyrtar policor në Pejë

Një zyrtar policor në Pejë është sulmuar papritur sot në mesditë, në rrugën ‘Mbretëresha Teuta’.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës është sulmuar me thikë, dhe ka marrë lëndime trupore, por tashmë është jashtë rrezikut për jetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, ka thënë përmes telefonit për KosovaPress, se hetuesit rajonalë do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

“Sot, rreth orës 11:55, në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ është sulmuar papritur një zyrtar policor, i cili ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë-thikë.  Falë shkathtësive profesionale të zyrtarit policor, dhe ndihmës së një qytetari, është arritur që zyrtari policor të shpëtojë me jetë. Personi i dyshuar është arrestuar dhe gjendja e zyrtarit policor, sipas ekipit mjekësor, është jashtë rrezikut për jetë. Hetuesit rajonalë do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të kuptuar rrethanat e këtij rasti”, tha ai.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari, pas intervistimit, dërgohet në mbajtje, ndërsa rasti cilësohet si vrasje në tentativë.