Jeta e këmbyer

Jeta e këmbyer

Ana Ahmatova

Mua, si lumit,

e egra kohë rrjedhën ma ndërroi

dhe jetën ma këmbyen. Në tjetër shtrat,

brigjesh të tjera rrodhi jeta ime,

e unë nuk i njoh brigjet e mia.

Oh, sa shumë ngjarje më kanë shpëtuar!

Sa e sa herë sipari u ngrit pa mua

e ra sërish pa mua.

Sa miq të mitë

në jetë kurrë s’i takova!

Sa pamje mrekulluese qytetesh

do bënin të lotonin sytë e mi.

E unë njoh veç një qytet në botë,

që edhe me sy mbyllur mund ta gjej...

Sa vargje kanë mbetur të pashkruar

dhe kori i tyre tinëz më vjen rrotull

e mbase ndonjë ditë do t’më mbysë.

Unë di veçse fillimet e mbarimet

dhe jetën pas mbarimit dhe diçka

që tash ta rikujtoj nuk më bën mirë...

Seç është dhe një femër, një aksh grua,

që vendin tim të vetëm e ka zënë

dhe emrin tim fare të ligjshëm mban

dhe mua më la nofkën, me të cilën

unë mund të them se bëra ç’ish e mundur...

Oh, kur të vdes, në timin varr s’do kallem.

Po ndonjëherë ajo marrokja erë,

o një togfjalësh në një libër rasti,

o ndonjë buzëqeshje do më çojnë

te jeta që nuk mund ta jetoj:

Në filan vit do ndodhte kjo e kjo,

në tjetrin kjo: shëtita, pashë, mendova,

edhe kujtova: në dashuri të re,

si në pasqyrë pashë me vetëdije

të vagët se tradhtova dhe dallova

një rrudhë që gjer dje s’e kisha parë.

Veç po të mund të shihja prej andej,

në jetën që jetoj tani, këtu,

do kisha njohur më në fund zilinë.

(1945)

 

ANA AHMATOVA

 

1889, Odessa (Ukrainë) - 1966, Domodedovo (Rusi)

Një nga poetet më të njohura të shekullit 20 dhe përkthyese mjaft e njohur. Studioi për drejtësi në Kiev. Nisi të shkruante poezi qysh kur ishte 15 vjeçe. Poeti N. Gumilov ishte burri i saj i parë. Me të bashkëthemeluan Repartin e poetëve, prej nga doli grupi i akmeistëve. Shkroi shumë poezi e poema në revistat e kohës. Vëllimi i parë poetik titullohej Mbrëmje (1912), pastaj Tufa e bardhë (1917), Buka me vete (1921), Anno Domini (1922). Pas një heshtjeje autocensure të gjatë, ku u mor me përkthime e studime, botoi librin me poezi Vrapi i kohës (1966). Poema e fundit, Rekuiem, doli në dritë 20 vjet pas vdekjes së autorës.

Veçoria e poezisë së Ahmatovës është fjala e kursyer me stilin e ngjeshur, ku në pak vargje përfshihet një dramë a një tragjedi e tërë njerëzore, që shkaktohet nga lufta ose nga regjimi shtypës.

Por Ahmatova është e njohur edhe për fatin e vet tragjik: tre njerëzit e saj të dashur, i shoqi N. Gumilovi, u pushkatua më 1921; shoku i saj i jetës, N. Punini, u arrestua tri herë dhe vdiq në kamp internimi; i biri, Lev Gumilovi, qëndroi dhjetë vjet nëpër burgje e kampe. Përjetimet e saj si grua dhe nënë i shprehu në Rekuiem. Për vete nuk pranoi të emigronte, se e quante tradhti ndaj gjuhës dhe kulturës së saj.

Ka marrë çmimin Taormina dhe titullin Doktor honoris causa nga Universiteti i Oksfordit.

 

(Përktheu nga rusishtja: Drita Lazri. Marrë nga revista “Akademia”)