Istrefi: Asnjëherë s’jam marrë në pyetje nga Policia për “Sim to Sim”

Istrefi: Asnjëherë s’jam marrë në pyetje nga Policia për “Sim to Sim”

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se ai asnjëherë nuk është intervistuar nga Policia e Kosovës, për  dukurinë “Sim to Sim”. Madje ai ka thënë se ka ndihmuar Policinë e Kosovës në parandalimin e kësaj dukurie.

Istrefi ka mohuar deklaratat e disa medieve, të cilat e involvojnë Istrefin në këtë ngjarje.

“Kam pas një numër të pyetjeve nga gazetarët se a jam marrë në pyetje prej Policisë së Kosovës ndonjëherë për këtë dukuri, prej kohës sime është ngritë ky nivel i aktivitetit. Dukuria ‘Sim to Sim’, me përgjegjësinë më të lartë të mundshme ligjore, deklaroj që asnjëherë në asnjë rrethanë e asnjë kohë, përmbi qe 10 vjet që jam në Telekom, përkundrazi kam suportuar Policinë e Kosovës me informata që kjo dukuri të ndalohet dhe asnjëherë nuk jam marrë në pyetje as nga Policia, e as nga prokuroria, e as nga një zyrtar i lartë shtetëror si i dyshuar në kryerjen e këtij veprimi. Ndihem jashtëzakonisht krenar për punën që e kam bërë për këtë parandalim që kam bërë me stafin e brendshëm që këtij vendi dhe institucionit kemi arrit që të ia kthejmë përmbi 22 milionë euro, të njëjtën kohë ka mediume dhe portale që prej ardhjes sime në tre mujorin e parë të 2019 është ngritë kjo dukuri”, ka thënë ai.

Istrefi është akuzuar se është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës për dukurinë “Sim to Sim”, të cilat sipas tij këto akuza nuk janë të vërteta, pasi që ai asnjëherë nuk është përballur me ligjin për asnjë shkelje ligjore.

“Prapë e them që me përgjegjësinë më të lartë, Auditori i Përgjithshëm që ka ardhur dhe auditorit kombëtarë, e ka audituar 4 periudhën e 2018-tës. Ne kemi insistuar provat që i kemi nxjerrë ne, kanë qenë tek 30 numra, çdo tentim thirrje nuk do thotë që është humbje për Telekomin e Kosovës dhe ato si mostra janë marrë, por të njëjtën kohë do punohet jashtëzakonisht dhe çdo punë e mundshme materiale që është nga brenda, të ia argumentojmë dhe faktojmë organeve të rendit”, ka thënë Istrefi.

Istrefi tha se tani më Telekomi është në fazën përmbyllëse me ish-operatorin virtual të këtij institucioni “Dradafon.net”, duke shtuar se Telekomi po bashkëpunon ngushtë me Autoritetin Rregulaltiv të Komunikimeve Elektronike dhe postare për ta larguar Telekomin në situatën në të cilën është.

“Ne jemi në fazën përmbyllëse të fazës së tranzicionit, jemi duke punuar ngushtë me ekipet tona të brendshme, kemi pas takim me ‘Dardafonin’ ku qëndrime tona i kemi bërë të qarta, jemi duke komunikuar ngushtë edhe me operatorin edhe me ARKEP-in, që bashkërisht ta bëjmë një zgjidhje të shpejtë për shkak që Telekomi në situatën të cilën ndodhet për momentin, nëse përfundon kjo fazë e tranzicionit, këta numra që do menaxhohen 100 për qind nga Telekomi i Kosovës, atëherë arrijmë që përmes këtyre numrave të krijohet një e hyrë që nuk ka qenë deri më tani në Telekomin e Kosovës dhe përmes këtyre të hyrave ne arrijmë që me kriju investime kapitale nga pjesa teknike dhe të jemi më atraktiv në tregun e telekomunikacionit dhe çdo herë sipas kërkesave të konsumatorëve në situatë ku ata do ti kenë shërbimet në nivelin më të lartë të mundshëm prej Telekomit të Kosovës”, ka thwnw ai.

Istrefi ka thënë se pas një pune intenzive janë parandaluar aktivitetet e devijimit të trafikut ndërkombëtar, i cili më herët ka qenë një humbje e madhe për Telekomin.

“Ne patëm formuar një ekip brenda Telekomit ku në atë ekip kam pas fatin të jem si udhëheqës i atij grupi në parandalimin e këtij aktiviteti të devijimit të trafikut ndërkombëtar, që për Telekomin kanë qenë jashtëzakonisht humbje të mëdha. Dhe pas 1 viti e gjysmë punë intenzive, kemi arritur ta ndalojmë dhe ta kthejmë në pikën 0 këtë dukuri. Me çdo aktivitet në çdo bashkëpunim dhe lëvizje që e kemi pas, kemi qenë bashkërisht të lidhur ngushtë, veprimet e brendshme të Telekomit dhe sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë dhe kemi arritur rezultatin që kjo dukuri të ndalohet dhe është ndalu për një kohë”, tha Istrefi.

Dukuria  “Sim to Sim”,  që në vitin 2010 rrezikonte ta fuste Telekomin e Kosovës në listën e zezë të operatorëve mobilë, mirëpo,me ardhjen e Bedri Istrefit si kryeshef i Telekomit të Kosovës, kjo dukuri po zbehet.EO