Anija zbarkon në Lampeduza, mbi 80 emigrantë në det të hapur prej 19 ditësh

Anija zbarkon në Lampeduza, mbi 80 emigrantë në det të hapur prej 19 ditësh

Ka marrë fund odiseja e mbi 80 emigrantëve afrikanoveriorë në brigjet italiane. Anija e tyre u lejua të martën të zbarkojë në portin e Lampeduzës pas gati tri javësh, kur kushtet higjieno-sanitare sa vinin e përkeqësoheshin.

Më shumë se 80 emigrantë të bllokuar në ujërat italiane zbarkuan natën e së martës në ishullin e Lampeduzës.

Me vendim të prokurorisë, anija humanitare "Open Arms" u lejua të hyjë në portin e vendit pas gati tri javësh në det të hapur.

"Më në fund makthi mori fund dhe personat e mbetur do të marrin asistencën e duhur mjekësore në tokë," njoftoi organizata humanitare në rrjetet sociale.

Prokurori që urdhëroi evakuimin e anijes deklaroi se situata në mjetin lundrues po dilte jashtë kontrollit.

Pak orë më herët, në gjendje të rënduar psikologjike dhe të lodhur nga bllokimi disaditor, 15 emigrantë u hodhën në det në tentativën për të përshkuar me not distancën prej vetëm 800 metra larg bregut ishullor.

Personat u ndihmuan nga garda detare italiane dhe u dërguan në qendrat lokale shëndetësore.

Sipas zëvendëskryeministrit Mateo Salvini, kushtet higjienosanitare brenda anijes humanitare nuk ishin aq të këqija sa deklarohej.

Tani kryetari i partisë "Lidhja" pritet të përballet me akuzat për shpërdorim detyre dhe dënimin me burg deri 15 vite nga prokurori që po heton çështjen.

Për 19 ditë me radhë qeveritari italian refuzoi zbarkimin e anijes në port me arsyetimin se vendi i tij po kthehej në një kamp refugjatësh të Evropës.

147 pasagjerët e anijes "Open Arms" u shpëtuan në det në fillimin e gushtit teksa lundronin nga Libia për kushte më të mira jete dhe sigurie.