Poezi për Marilyn Monroen

Poezi për Marilyn Monroen

Pier Paolo Pasolini

Prej së lashtës botë dhe asaj që do të vijë

kish mbetur veç bukuria, dhe ti,

e gjora motërze,

ajo që vrapon pas vëllezërve më të rritur,

dhe qesh e qan me ta, për t’i imituar,

ti motërze më e vogël,

atë bukuri e zotëroje me përulësi,

dhe shpirti yt bijë njerëzish të vegjël,

nuk e diti kurrë se e kishte,

sepse përndryshe nuk do të kish qenë bukuri.

 

Bota ta mësojë,

kështu bukuria jote u bë e saj.

Prej të lashtës botë të frikshme dhe asaj që do të vijë

kish mbetur veç bukuria, dhe ti

e mbarte pas vetes si një buzëqeshje e bindur.

Bindja kërkon shumë lot të gëlltitur,

t’u jepesh të tjerëve, plot vështrime të gëzuara

që lypin mëshirën e tyre! Kështu

humbe bukurinë tënde.

 

U fanit si një pluhur i artë.

 

Prej të lashtës botë budallaqe

dhe të egrës botë që do të vijë

kish mbetur një bukuri që nuk kishte turp

t’u drejtohej gjinjve prej motërze,

të voglit bel kaq lehtësisht lakuriq.

Dhe për këtë ishte bukuri, të njëjtën

që kanë edhe vajzat e ëmbla të botës tënde...

bijat e tregtarëve

fituese në konkurset e Majamit ose Londrës.

U fanit si një pëllumb i artë.

Bota ta mësojë,

e kështu bukuria jote nuk ish më bukuri.

Por ti vijoje të ishe fëmijë,

budallaqe si lashtësia, mizore si e ardhmja,

e mes teje dhe bukurisë tënde të zotëruar nga Pushteti

u fut i gjithë budallallëku dhe mizoria e së tashmes.

E mbaje gjithnjë me vete si një buzëqeshje mes lotëve,

e paturpshme në pasivitet, e turpshme në bindje.

 

U fanit si një pëllumb i bardhë i artë.

 

Bukuria jote e mbijetuar prej botës së lashtë,

e kërkuar nga bota e së ardhmes, e zotëruar

prej botës së tashme, u kthye në një të keqe vrasëse.

 

Tani vëllezërit e rritur, më në fund, kthejnë kryet,

i ndalin për një çast lojërat e tyre të mallkuara,

dalin prej shpërqendrimit të tyre të pashtershëm,

dhe pyesin veten: “A është e mundur që Merilin,

e vogla Merilin, na rrëfeu udhën?”

 

Tani je ti,

ajo që s’vlen asgjë, e gjora, me buzëqeshjen e saj,

je e para përtej dyerve të botës

së braktisur në fatin e saj të vdekjes.

PIER PAOLO PASOLINI

Pier Paolo Pasolini (1922-1975) është lindur në Bologna, një nga qytetet perëndimore më tradicionale të Italisë. Ai ishte i biri i një ushtari, Carlo Alberto, i cili ishte bërë i famshëm për shpëtimin e jetës së Musolinit, si dhe një mësueseje filloreje, Susanna Colussi. Familja e tij u shpërngul për në Conegliano më 1923 dhe, dy vjet më vonë, për në Belluno. Pasolini nisi të shkruajë poema që në moshën shtatëvjeçare, i frymëzuar nga bukuria e Casarsas. Gjatë kësaj periudhe nisi të lexonte vepra të Dostojevskit, Tolstoit, Shekspirit, Novalisit etj. dhe e la mënjanë pasionin për fenë. Një kohë punoi mësimdhënës, kurse deri në fund të jetës, deri kur e vranë, shkroi poezi, novela, skenarë për filma artistikë dhe për dokumentarë.

 

(Marrë nga dokumentari “La Rabbia”, (1963). Regjia dhe skenari Pier Paolo Pasolini. Përktheu nga italishtja: Renato Kalemi. Revista “Akademia”)