Pas 31 gushtit Telekomi nuk do të ofrojë më shërbime për “Z-Mobile”

Pas 31 gushtit Telekomi nuk do të ofrojë më shërbime për “Z-Mobile”

Federata e Sindikatës së Pavarur (FSP) të Postë Telekomit të Kosovës (PTK),  është duke e përcjellë nga afër procesin pas njoftimit zyrtar nga Telekomi i Kosovës për mosvazhdim të kontratës me “Z-Mobile”,  pas skadimit të saj me 30 korrik të këtij viti. Kështu thuhet në njoftimin e FSP-së.

“Për FSP-PTK është i papranueshëm deklarimi i menaxhmentit se periudha e tranzicionit do të zgjasë 30 deri 120 ditë. Vendimi i shkruar i menaxhmentit nuk u referohet as 30 ditëve e as 120 ditëve, por i referohet vetëm nenit 13 të kontratës, konkretisht periudhës së tranzicionit. Por, në nenin 13, konkretisht pika 13.1 dhe 13.2 u referohen tranzicionit vetëm në rastet e shkëputjes së parakohshme të kontratës, e jo tranzicionit pas skadimit të kontratës, siç është rasti ynë, thekson FSP i PTK-së përmes një deklarate për opinionin”.

“Prandaj, pasi kontrata aktuale ka skaduar sipas afatit e nuk është ndërprerë parakohshëm, në këtë rast për FSP-PTK koha e tranzicionit të kontratës aktuale ka përfunduar me 30 korrik, pikërisht në datën e skadimit të kontratës, sepse menaxhmenti i Telekomit të Kosovës e ka njoftuar Z-Mobile qysh më 24 qershor se kontrata aktuale nuk do të vazhdohet. Megjithatë, FSP-PTK e ka toleruar tranzicionin 30 ditë jo pse i takon Telekomit, por vetëm e vetëm që t’u dhënë kohë ARKEP-it dhe Manaxhmentit të Telekomit që t’i kthehen numrat e marrë Telekomit. Por, duke u bazuar në përmendjen e 30 deri 120 ditëve tranzicion nga menaxhmenti i Telekomit, si dhe duke u bazuar në paqartësinë e ARKEP për të marrë vendime lidhur me kthimin e numeracionit, u bëjmë me dije të gjitha institucioneve se, pas datës 31 gusht nuk do të ofrohet më shërbime për Z-Mobile”, është thënë në komunikatë, duke u shtuar se kërkojmë posaçërisht nga ARKEP që t’u përmbahet obligimeve të veta ligjore dhe konform edhe kërkesës së fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar, t’ia kthejë numeracionin Telekomit të Kosovës. “Me këtë rast e falënderojmë Komision Hetimor Parlamentar për përgjegjësinë dhe punën e madhe në funksion të zbardhës së gjendjes në Telekom e posaçërisht në ndriçimin e fakteve rreth kontratës korruptive me Z-Mobile. Prandaj, këtë paralajmërim me kohë të FSP-PTK ta merrni seriozisht ashtu që periudhën e tranzicionit ta përfundoni brenda 30 ditëve. Përndryshe, të gjitha pasojat e mundshme pas datës 31 gusht do t’i bartin institucionet përgjegjëse, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës si dhe ARKEP-i, përfundon deklarata e Këshillit Grevist të FSP-PTK-së”, përfundoi komunikata e FSP-së.