OKB: Mianmari përdor dhunën seksuale si armë lufte

OKB: Mianmari përdor dhunën seksuale si armë lufte

Përveç rrahjes, djegies me cigare dhe prerjeve me thika, raporti thotë se ushtria e Mianmarit përdhunoi dhe mbajti gra dhe vajza si skllave seksuale në baza ushtarake.

Një mision i Kombeve të Bashkuara (OKB) për mbledhjen e fakteve ka deklaruar se përdorimi i përdhunimit dhe formave të tjera seksuale nga ushtria në Mianmar është “aq i zakonshëm sa që reflekton një kulturë të përhapur të tolerancës ndaj poshtërimit”.

Misioni i OKB-së në raportin e tij me 61 faqe theksoi se ushtria e Mianmarit duhet të përfundojë praktikën me të cilën punon për të terrorizuar pakicat etnike në shtete të shumta.

Raporti zbuloi se në shtetin Rakhinë, vend i cili është shtëpi e pakicës muslimane Rohingya, praktika e dhunës seksuale ishte aq e përhapur në vitin 2017 gjatë asaj që qeveria e quajti “operacione pastrimi”, saqë ishte një faktor në përcaktimin e qëllimit të Mianmarit për të kryer gjenocid kundër grupit etnik.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë që ushtria e Mianmarit të japë llogari për dhimbjen dhe vuajtjet e jashtëzakonshme që u është shkaktuar personave të të gjitha gjinive në të gjithë vendin”, tha në një deklaratë kreu i misionit, Marzuki Darusman.

Raporti bazohet në intervista me qindra të mbijetuar dhe dëshmitarë të operacioneve në vazhdim në shtetet Rakhinë, Kachin dhe Shan.

Siç theksoi raporti, përdorimi i dhunës seksuale nga ushtria mund t’i atribuohet vetëm “një pjese të një strategjie të qëllimshme, mirë të planifikuar për të frikësuar, terrorizuar dhe ndëshkuar një popullatë civile dhe t’i detyrojë ata të largohen”.

“Misioni përfundoi në baza të arsyeshme se aktet përbëjnë krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe akte themelore të gjenocidit të shoqëruara me konkluzione të qëllimit për të kryer gjenocid”, theksuan autorët e raportit.

Gratë dhe vajzat ishin në shënjestër në shumicën e sulmeve të përfshira në raport. Përveç rrahjes, djegies me cigare dhe prerjeve me thika, raporti thotë se ushtria e Mianmarit përdhunoi dhe mbajti gra dhe vajza si skllevër seksuale në baza ushtarake.

Raporti shtoi se burrat dhe djemtë po ashtu u dhunuan dhe u torturuan seksualisht.

Populli Rohingya, i përshkruar nga OKB si populli më i persekutuar në botë, është përballur me frikën e shtuar të sulmit pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

Sipas Amnesty International, mbi 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra e fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladeshin fqinj pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e bërë numrin e të persekutuarve në Bangladesh mbi 1.2 milionë.

Sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit Ontario (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit./aa/