Hapësira me pyje sa tre fusha futbolli po digjen çdo minutë në Amazonë

Hapësira me pyje sa tre fusha futbolli po digjen çdo minutë në Amazonë

Zjarret që kanë përfshirë Amazonën po kthehen në një shqetësim ndërkombëtar, ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet diplomatike të Brazilit me shtete të tjera, kryesisht ato evropiane.

Sipas ‘Business Insider’, në Amazonë po digjet çdo minutë një hapësirë me pyje e barabartë me tre fusha futbolli.

Sipas qendrës hapësinore të kërkimeve të Brazilit, 72.843 zjarre kanë prekur Amazonën, një rritje kjo prej 83 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar.

Franca e ka konsideruar zjarrin në Amazonë si krizë ndërkombëtare, ndërsa Qeveria braziliane e akuzon shtetin e BE-së se po ndërhyn në çështjet e brendshme.

Gjithsesi, presidenti Emmanuel Macron nuk është tërhequr dhe kërkon që Amazona të jetë tema kryesore në samitin e G7 që do të nisë nesër.

Zjarret në pyjet e Amazonës janë aq intensive sa tymi ka mbuluar qytete që gjenden edhe mijëra kilometra larg. Këto zjarre, raportohet se janë aq të mëdha sa që mund të shihen edhe nga hapësira, përcjell tch.

Ekspertët thonë se e gjithë kjo mund të ketë pasoja të rënda te klima, ndërkohë, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka fajësuar organizatat joqeveritare se kanë nisur flakët.

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar ka paralajmëruar se do të bllokojë marrëveshjen tregtare BE-Brazil nëse Bolsonaro nuk do reagojë për vënien e flakëve nën kontroll.

Edhe Gjermania me Norvegjinë po planifikojnë të ndërpresin miliona euro financime që i shkojnë Brazilit për Amazonën.

Presidenti Bolsonaro, në mënyrë të vazhdueshme është kritikuar se nuk ka mbrojtur pyllin më të madh të botës dhe se ka promovuar një politikë shpyllëzimi, pro bizneseve. Amazona është një magazinë jetësore e karbonit, që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.